KALLXO 360: Gratë Ekspozojnë Prodhimet e Bizneseve të Tyre

Hasbie Gërguri nga fshati Studime i Vushtrrisë tregoi për KALLXO.com sesi ka filluar të merret me konservimin e pemëve dhe perimeve së bashku me tri gra të tjera.

“Ne jemi katër gra që merremi më këtë biznes, merremi me prodhimin e pemëve dhe perimeve, kemi turshi, reçele, domate të gjelbër… Këto prodhime ne i bëjmë në shtëpi vetë, kemi mjete me të cilat ne e bëjmë pasterizimin e tyre dhe i bëjmë pa konservans, kemi vetëm bio”, tha ajo.

Hasbia thotë se ajo që i ka shtyrë për të hapur biznesin ishin dëshira për t’u ndjerë të pavarura në shoqëri dhe të afta për t’u kujdesur për veten dhe familjen.

“Ka lindë ideja se si të bëhemi gra që marrim vendime për veten tonë, për familjen tonë dhe atëherë ne e kemi zgjedhë këtë biznes sepse për ne ka qenë më e lehtë se mund t’i bëjmë të gjitha në shtëpi”, tha ajo.

Ajo tha se nuk kanë përkrahje të madhe nga institucionet por vetëm nga organizatat joqeveritare, familjarët dhe nga gratë e tjera të cilat kanë biznese.

“Ne kemi bashkëpunim me të gjitha këto gra që gjinden këtu dhe shkëmbejmë e-maile, llafe dhe të gjitha ne jemi si me qenë një familje”, tha ajo.

Qytetari Shyqyri Gashi, i cili merrte pjesë në panair, tha se është shumë e rëndësishme që të bëhet promovimi i bizneseve të udhëhequra nga gratë.

“Promovimi i grave është shumë me rëndësi sot në Kosovë pasi që edhe gratë shqiptare punojnë sidomos punë dore dhe janë shumë të zoja”, tha ai.

Sipas tij promovimi i grave por edhe promovimi i kulturës dhe artizanateve shqiptare është shumë e rëndësishme në mënyrë që të ruhet tradita.

“Është mirë që vijnë njerëzit këtu shohin dhe i blejnë sidomos njerëzit që janë nga diaspora, ata kanë qejf të blejnë këto punime artizanale, veshje kombëtare, qilima etj”, tha ai.

Ky panair është organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë dhe OJQ-ja “Gratë në Biznes” dhe është përkrahur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.