Produktet për gra më të shtrenjta se ato të burrave, gratë e kanë më vështirë të hapin biznes

Instituti për politika zhvillimore INDEP organizoi tryezën e diskutimit lidhur me ” Gratë konsumatore- të drejtat e konsumatorëve nga perspektiva gjinore”.

Dardan Abazi nga INDEP tha se nga hulumtimi i tyre ka gjetur se gratë kanë më shumë vështirësi se burrat për të hapur biznes.

“Në shumë hulumtime, pozita e gruas në Kosovë është ndër kryesoret në zhvillimin e ekonomisë. Gratë kanë vështirësi më te mëdha se burrat për të hapur një biznes. Shumica e produkteve në treg janë të dizajnuara që të bëjnë meshkujt më komfort”, tha ai.

Në anën tjetër, Liridona Sijarina nga qendra kosovare për studime gjinore tha se ekonomia në Kosovë është e dizajnuar për interesa të burrave.

“Interesat e grave nuk shihen si shumë të rëndësishme edhe pse janë ndër konsumatorët kryesor në shoqërinë tonë. Ekonomia në vendin tonë është thellësisht e dizajnuar për interesa të burrave”, tha ajo.

Sijarina shtoi se produktet që janë specifike për gratë janë shumë të shtrenjta dhe se ato shihen si luks.

“Produktet që janë specifike për gratë janë shumë më të shtrenjta, si pecetat higjienike, kjo pasi nevojat bazike të grave shihen si luks” shtoi ajo.

Sipas saj, gratë edhe në reklama shfaqen si nëna ose amvise dhe kjo duhet të bojkotohet.

“Gratë shihen si të paafta për të hyrë në tregun e punës, ato përbëjnë forcë punëtore vetëm 14 për qind. Gratë edhe në reklama shihen si nëna dhe amvise dhe kjo duhet të bojkotohet. Fakti që gratë nuk trashëgojnë pronë e kanë më të vështirë të nisin biznes, madje edhe kredi nuk u jepet sepse nuk kanë trashëgimi që banka tu besojë se kanë mjete” tha Sijarina.

Besa Neziri, profesoreshë dhe dizenjatore tha se dallon shumë çmimi i produkteve për femra nga ato për meshkuj dhe se peceta higjienike ende perceptohet si e turpshme për tu vënë tek arkat.

“Nga ajo që kam parë produktet  e grave janë 42 për qind më të shtrenjta ndërsa të meshkujve 18 për qind. Pecetat higjienike në Kosovë ende ti mbështjellin ” tha ajo.

Neziri tha se si grua në biznes është përballur me shumë diskriminim dhe seksizëm.

“Kam hasur në shumë diskriminim dhe seksizëm në biznesin tim. Shpesh njerëzit të referohen me termin ‘bukuroshe’ sesa në emër. Gruaja në Kosovë përballet me shumë paragjykime dhe gjuhë denigruese si në vozitje, në proces shkurorëzimit,  në trashëgim të pronës”,  tha Neziri.