Foto: REL/Flickr
MINT me tender rreth 7 mijë euro për organizimin e panairit 'Gratë në Biznes'
Dikasteri qeveritar i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në vend, pritet të shpenzojë deri në 7 mijë euro për organizmin e panairit “Gratë në Biznes”.
Me datën 30 qershor 2022, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në platformën elektronike për prokurim publik në Kosovës “e-prokurimi”, publikoi njoftimin për kontratë për organzimin e panairit për gratë në biznes.
Për organizimin e këtij panairi, Ministria kishte parashikuar të nënshkruajë kontratë në vlerë deri 9,999 euro, me kohëzgjatje e deri tre ditë nga dhënia e saj.
Për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor procedura e çmimit të kuotimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.
Nëpërmjet platformës “e-prokurimi”, bëhet e ditur se ditën e djeshme ministria e ka përzgjedhur kompaninë e cila pritet ta kryejë këtë organizim.
Me vlerë të përgjithshme të kontratës 6,770 euro, kontrata i është dhënë kompanisë “COMPASS IT” Sh.P.K.
Sipas kërkesave nga paramasa e këtij tenderi, kërkohet të përgatitet dizajni për hapësirën e panairit, të sigurojë dhe vendosë 40 copë shtande ose tavolina. Çdo shtand duhet të ketë edhe se paku dy karrige, përgatitja e skenës se panairi, sigurimi fizik i panairit, takim me bizneset, vendosja dhe zhvendosja e dy tualeteve (WC) montazhe.
Tutje lypëset mirëmbajtja e hapësirës së panairit, zhvendosja e elementeve, pastrimi dhe kthimi i hapësirës se panairit në gjendjen e mëparshme, sigurimin e energjinë elektrike dhe ndriçimin e shtandit në rast nevoje dhe në fund përgatitja e raportit përfundimtar për realizimin e panairit.