Gratë ekspozojnë prodhimet në panair, ministrja Hajdari u premton përkrahjen e Qeverisë

Panari tradicional me produktet që prodhojnë nga puna e tyre gratë ndërmarrëse u hap sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Hapja e panairit 2 ditor “Gratë në Biznes” u bë nga ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Ministrja Rozeta Hajdari premtoi përkrahjen e Qeverisë për këto gra.

“Shpirti i ndërmarrësisë është te gratë, fillon me gratë dhe programi social-demokrat i qeverisjes sonë, do t’i përkrahë edhe më shumë gratë tona”, ka thënë ajo.

Hajdari ka thënë se gratë do të kenë përparësi edhe në grande.

“Ju do të keni përkrahjen e madhe të qeverisjes së tanishme, besoj e keni pasur edhe deri tash, por tash edhe më shumë sepse ekonomia jonë po rritet, buxheti po rritet dhe përkrahja do të jetë më e madhe. Përkrahja e grave do bëhet me përparësi, me pikë shtesë, po ashtu në pakon e rimëkëmbjes ekonomike që janë ndarë 5 milionë euro për punësimin e grave”, ka thënë Hajdari.

Tenda e panairit e vendosur në mes të sheshit në Prishtinë përmban produkte tradicionale, ushqimore, suvenire, veshje të punuara me dorë nga gratë ndërmarrëse e prodhime të tjera.

Arife Behluli ka 15 vite që merr pjesë në panair me veshje të punuara me dorë.

Arife Behluli Foto:KALLXO.com

“Që 15 vjet marr pjesë në panair, kryesisht me veshje kombëtare , qilima e këto punimet që i bëj me dorë. Panairi na ndihmon shumë, por do të ishte më mirë të mbahej më shpesh sepse na ndihmon shumë t’i shesim punimet tona”, tha ajo për KALLXO.com.

Mihane Avdullahu është një tjetër grua ndërmarrëse e cila merr pjesë në panair tash e 10 vjet.

“Marr pjesë, më produkte ushqimore po edhe do punime që i bëj me dorë, i kemi sjell këtë vit. Më shumë shiten produktet ushqimore”, tha ajo.

Foto:KALLXO.com

Avdullahu për KALLXO.com tha se panairi i ndihmon në reklamim të produkteve dhe biznesin e saj.

Panairi “Gratë në Biznes” do të jetë i hapur deri me 4 dhjetor duke filluar në ora 9:00 e deri në ora 18:00, ku qytetarët do të mund të blejnë produktet e ekspozuara dhe të njihen me cilësinë e tyre.