Hivzi Krasniqi

Ka ndërruar jetë gazetari Hivzi Krasniqi

 

Mbrëmë pas mesnate portali “Njëshi” dha lajmin se në  Prishtinë, në rrethin e vet familjar ka ndërruar jetë doajeni i gazetarisë në Kosovë Hivzi Krasniqi.

Thuhet se ai vdiq pas një sëmundje të shkurtër. Hivzi kohë më parë kishte dalë në pension ku kishte përfunduar karrierën e tij të gazetarit aty edhe ku e kishte filluar në Radio Kosovë (në Radio Prishtinën e dikurshme).

Ai një kohë kishte punuar edhe në Radio Dukagjini, në studion në Prishtinë, e për pak kohë edhe në fillimet e punës së RTV 21.

Krasniqi u shqua si gazetar i aftë dhe tregoi talent të pashoq në këtë profesion, ishte origjinal, ishte vetëvetja ndërsa bisedat e tij në studio me mysafirë të shtresave të ndryshme ai ka lënë gjurmë në radio gazetarinë shqiptare jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Hivziu ka treguar prirje të dalluar në shkrimin e teksteve të këngëve hit dhe kështu pas vetes ka lënë mbi 1.000 tekste të dalluara me të cilat ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në këtë lëmi.

Burime të afërta me familjen Krasniqi bëjnë të ditur se varrimi i Hivziut do të bëhet sot në Pejë kurse koha e saktë e varrimit do të ipet në orët e hershme të ditës së sotme.