Jashari: të Qëllimshme Akuzat ndaj Azem Sylës

Kërkimi dhe bastisja e shtëpisë së Azem Sylës, ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për Jasharin është përpjekje për t’i barazuar palët ndërluftuese të viteve 1997-1999.

“Ne e kemi thënë se tendenca e EULEX-it ka qenë me e degradu luftën dhe me e barazu luftën me atë se kush ka qenë uzurpator, kush ka qenë përdhunues dhe kush ka bo masakra dhe besoj që këto spektakle që bëhen këtu EULEX-I, i bën qëllimisht që me e arsyetu punën e tyre që s’ka bë asgjë këtu, nuk ka zgjedhur asnjë çështje dhe me e degradu kategorinë më të ndjeshme dhe më sublime të popullit shqiptar,” tha Jashari.

KALLXO.com që nga mëngjesi raportoi për një aksion bastisjesh në nivel vendi e në shumë lokacione që kishte për qëllim arrestimin e të dyshuarve për keqpërdorim pronash shoqërore, në mesin e të cilëve ishte edhe Azem Syla.

Për Jasharin bastisjet, aktakuzat dhe arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së po ndodhin “me akuza dhe direktiva të Beogradit,” ndërsa roli i tij dhe shoqatave të dala nga lufta është “me i mbrojë vlerat e luftës, sa i përket luftës së UÇK-së”.

Jashari nuk deshi që ta komentojë punën e organeve të drejtësisë në vend, duke dashur që t’i lë të kryejnë punën e vet.

“Pas përfundimit të luftës janë krijuar organet e drejtësisë që merren me këto çështje dhe unë nuk kam as të drejtë që t’i komentoj, por tendencat kanë qenë të vazhdueshme me e njollosë luftën e UÇK-së me e degradu luftën e UÇK-së dhe pjesëtarët e saj, por unë besoj që nuk ka forcë me e bë këtë, sepse ajo ka qenë luftë e pastër dhe  e drejtë,” tha Jashari.