Istog, kontrata për ndriçimin publik pa buxhet të mjaftueshëm

Komuna e Istogut sipas raportit për vitin 2018 të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ka lidhur kontratë për “Ndërtimin e ndriçimit publik në Banjë” vlera e së cilës ishte 56 mijë e 811 euro ndërsa e njëjta komunë kishte mjete të zotuara 25 mijë e 509 euro, ndërsa mjetet financiare të planifikuara për këtë projekt në buxhetin 2018 ishin 50 mijë euro dhe nuk kishte mjete të planifikuara për vitin 2019.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP) thotë se para inicimit të një procesi të prokurimit i cili ka për qëllim të rezultojë në ngritjen e një obligimi në vitin aktual fiskal, Organizata Buxhetore i regjistron të gjitha zotimet e fondeve të ndara në SIMFK në përputhje me rregullat KMF.

Sipas zyrtarëve të komunës zotimi i mjeteve për ndriçimin publik në Banjë është bërë pjesërisht për shkak se financimi i projektit është planifikuar nga të hyrat vetanake, dhe mjetet do zotohen varësisht prej realizimit të të hyrave.

“Po ashtu, në pesë kontrata të mallrave e shërbimeve zotimi i fondeve nuk ishte i plotë para nënshkrimit të kontratës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

“Mungesa apo zotimet më të ulëta se vlera e kontraktuar me rastin e nënshkrimit të kontratave kanë ekspozuar komunën para një rreziku të hyrjes në obligime përtej shumës që tejkalon fondet e ndara dhe ndikon në prolongimin e realizimit të projekteve të planifikuara”, thuhet tutje në raport.

Auditori gjithashtu ka gjetur se Komuna e Istogut nuk ka ndonjë plan operativ për mbledhjen e llogarive të arkëtueshme dhe nuk ka ndërmarr ndonjë veprim për arkëtimin e këtyre borxheve përmes përmbaruesve.

“Trendi i të arkëtueshmeve është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit gjersa krahasuar me vitin paraprak janë rritur borxhet për rreth 7%. Rritja më e madhe ka ndodhur te tatimi në pronë. Shkaqet e rritjes së të arkëtueshmeve janë ndikuar nga mos veprimi i Komunës që lëndët t’i procedoj te përmbaruesi edhe pse disa përpjekje janë bërë që përmes vërejtjeve të rrisë mbledhjen e të arkëtueshmeve nga qiratë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA, rreziku i mos inkasimit të të hyrave ndikon që shumë projekte kapitale të mos realizohet për shkak të mungesës së mjeteve.

“Mungesa e kontrollit dhe mos aplikimi i masave adekuate pamundëson arkëtimin dhe rrit rrezikun e vjetrimit të kërkesave”, thuhet tutje në raport.

Auditori ka rekomanduar Kryetarin e Komunës së Istogut që të siguroj një plan veprimi për mbledhjen e borxheve.

“Fillimisht duhet ndërmerren veprime ligjore përmes përmbaruesve, kurse te qiramarrësit borxhli të ndërmerr masa për marrjen e objekteve dhe tokës që janë duke e shfrytëzuar dhe dhënien në shfrytëzim personave tjerë në përputhje me procedurat e ankandit publik”, është rekomandimi i ZKA-së ndaj Kryetarit të Komunës së Istogut.