Komuna e Istogut
Komuna e Istogut ka pranuar ofertë 13 herë më të lartë se vlera e parashikuar për kontratë
Komunës së Istogut i janë dashur 8 muaj për të përmbyllur një proces të prokurimit dhe për të nënshkruar kontratën për mirëmbajtjen higjeno-sanitare të objekteve të Komunës së Istogut.
Gjatë kësaj kohe, kishte ankesë tek komuna e më pas edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga njëra prej kompanive. Gjykata e Tenderëve kishte konstatuar se Komuna e Istogut kishte bërë shkelje të ligjit të Prokurimit dhe kishte kërkuar që lënda të kthehej në rivlerësim.
Vetëm pas rivlerësimit, Komuna e Istogut e kishte eliminuar kompaninë ankuese për tejkalim substancial të vlerës së parashikuar të komunës për të shpenzuar për këtë aktivitet të prokurimit.
Bazuar në “Njoftimin për vendimin e Komunës së Istogut’’, të datës 16 qershor 2023, operatori ekonomik e kishte tejkaluar ofertën 1,290%.
“Operatori ekonomik: “ECO Vetrok SH.P.K”, është e papërgjegjshme në raport me kërkesat e dosjes së tenderit dhe në njoftim për kontratë dhe eliminohet sepse tejkalon në masë substanciale vlerën e parashikuar për këtë aktivitet, sepse për 36 muaj- vlera e parashikuar është 55,000 euro, ndërsa operatori ekonomik totalin për pastrim për 1 muaj e ka ofertuar 21,224.02 euro, ndërsa totalin për pastrim për 36 muaj e ka ofertuar 764,064.72 euro” – thuhet në “Njoftimin për vendimin e Komunës së Istogut”.
BIRN e ka pyetur Xhevdet Latifin, pronarin e kompanisë “ECO Vetrok SH.P.K” në lidhje me tejkalimin e vlerës së parashikuar në ofertën e tyre. I njëjti ka thënë se kjo çështje është mbyllur për të pasi është dhënë vendimi dhe nuk do të jap koment.
Komuna e Istogut e ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik “Selmans Network” për një vlerë prej 44,925.91 euro.
E njëjta kompani ishte rekomanduar për kontratë edhe në njoftimin e bërë më 24 janar 2023. Dy operatorët e tjerë që kishin ofertuar në këtë aktivitet të prokurimit, “ECO Vetrok” dhe “Capital X Fet ShPK”, ishin eliminuar nga gara me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara në dosjen e tenderit.
Ankesa në OSHP
Të dy operatorët e eliminuar nga gara kishin paraqitur kërkesë për rishqyrtim në Komunën e Istogut. Kompania “Capital X Fet ShPK”, bazuar në publikimet e bëra në E-Prokurim, del se ka bërë kërkesë për rishqyrtim më 27 janar 2023. Komuna e Istogut, në të njëjtën ditë, ka vendosur të pezullojë aktivitetin e prokurimit e më pas edhe vendimin mbi refuzimin e kërkesës për rishqyrtim të bërë nga kompania “Capital X Fet ShPK”.
Për ofertën e kësaj kompanie, Komuna e Istogut ka pretenduar se tek lista e kontratave të realizuara në tri vitet e fundit, “Eco Vetrok” nga pesë pikat vetëm në tri prej tyre ka ofruar kontrata ku njëra ndër to ka qenë aneks-kontratë.
Ndërsa sa i përket referencave, Autoriteti Kontraktues ka vlerësuar se referencat e kompanisë “Eco Vetrok” kanë mangësi dhe se dy prej tyre nuk përputhen me kontratat e realizuara.
Me këto pretendime të Komunës së Istogut nuk është pajtuar kompania “ECO Vetrok”, e cila kishte bërë kërkesën për rishqyrtim më 30 janar 2023. Kjo kompani kishte pretenduar se Komuna e Istogut nuk i kishte dhënë qasje në dokumentet e kërkuara për këtë tender. Gjithsej 6 pretendimet që i kishte kjo kompani, Komuna e Istogut i kishte refuzuar.
Pas refuzimit, OE “ECO Vetrok”, më 14 shkurt 2023, ka parashtruar ankesë në OSHP. Për dallim nga komuna e Istogut, Gjykata e Tenderëve ka vlerësuar se 4 pretendimet e kompanisë “ECO Vetrok” ishin të qëndrueshme, duke konstatuar se Komuna e Istogut ka bërë shkelje të dispozitave të Ligjit të prokurimit.
Eksperti e ka vlerësuar si të bazuar pretendimin e parë ankimor të operatorit ankues “ECO Vetrok” se Komuna e Istogut ka shkelur nenin 10 të Ligjit për prokurim publik pasi operatorit ankues nuk i ka lejuar qasje në dokumentin “Kërkesë për Konfidencialitet”.
Neni 10, pika tre e këtij ligji thotë se me kërkesën e cilit do person, autoriteti kontraktues i siguron qasje të menjëhershme dhe të arsyeshme personit të tillë, i cili kërkon të ketë qasje në të dhënat e përshkruara në paragrafin 1. dhe 2. te këtij neni, përveç informatave sekrete afariste, që kanë të bëjnë me çfarëdo aktiviteti të prokurimit që është mbyllur.
Pretendimi i tretë ankimor i operatorit është vlerësuar po ashtu i bazuar nga eksperti pasi kompania “Eco Vetrok” ka dorëzuar kopje kontratat sipas listës, kurse tek referencat ka disa mangësi.
Po ashtu, eksperti shqyrtues edhe pretendimin e pestë të operatorit ankues e ka vlerësuar të bazuar pasi sipas tij, neni 60 i këtij ligji është shkelur nga komuna duke rekomanduar ofertuesin me çmimin 44,925.91 euro, kurse ka eliminuar ofertuesin me çmimin 21,669.52 euro edhe pse ka qenë tender i përgjegjshëm.
Eksperti ka vlerësuar se komuna ka bërë shkelje duke mos i kërkuar sqarime shtesë operatorit ekonomik. Sipas tij, është shkelur nenin 72 të LPP-së në të cilin thuhet se autoriteti kontraktues mund të ftojë operatorët ekonomikë për të plotësuar apo për të qartësuar certifikatat dhe dokumentet e paraqitura në pajtim me nenet 65-71 të këtij ligji.
Eksperti shqyrtues kishte kërkuar nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së që lëndën ta kthejnë në rivlerësim. Me këtë kërkesë ishte pajtuar Komuna e Istogut dhe kompania ankuese, gjë që ka bërë që OSHP-ja të miratojë pajtimin e palëve që lënda të kthehet në rivlerësim.
Vendimi i OSHP-së ishte publikuar më 20 mars 2023, por Komuna e Istogut e kishte zvarritur publikimin e vendimit pas rivlerësimit të ofertave duke e publikuar vendimin tek me 16 qershor 2023. Nga dita e publikimit të vendimit të OSHP-së e deri në publikimin e njoftimit mbi vendimin e Komunës së Istogut kanë kaluar 88 ditë.
Neni 40.3 i Rregullores për prokurimin publik thotë se vlerësimi i ofertave duhet të bëhet brenda një periudhe prej 30 ditëve nga dita e hapjes së ofertave.
“Procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, dhe nxjerrja e njoftimit mbi vendimin e AK, do të kryhet nga AK brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara, në veçanti për kontratat e një natyre komplekse, kjo periudhë mund të zgjatet për një afat shtesë prej 20 ditësh” – thuhet në nenin 40, pika 3.
BIRN kishte kontaktuar me pronarin e kompanisë ankuese “Eco Vetrok”, Xhevdet Latifi, i cili pati thënë se vendimi i OSHP- së është i drejtë, por vonesa e vendimit nga komuna duket të jetë e dyshimtë.
“Ndërsa i përket vendimit të komunës ne jemi duke prit, por në bazë të stërzgjatjes së marrjes së vendimit nga ana e komunës jemi të dyshimtë. Por sido që të jetë, jemi në pritje” – u shpreh Latifi para vendimit të autoritetit kontraktues.
Mirëpo pas vendimit të komunës ai nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN lidhur me vendimin e komunës.
Komuna e Istogut e kishte publikuar njoftimin për dhënie të kontratës më 28 qershor 2023, ndërsa kompania “Eco Vetrok” është vlerësuar që ka dorëzuar ofertë që e tejkalon dukshëm vlerën e parashikuar për këtë aktivitet të prokurimit.
Kundër këtij vendimi nuk është paraqitur asnjë kërkesë për rishqyrtim apo ankesë në OSHP duke i hapur rrugë nënshkrimit të kontratës.
Kontrata në mes të Komunës së Istogut dhe kompanisë “Selmans Network” është nënshkruar më 3 korrik 2023.
Ky artikull është shkruar nga Erlida Mulaku përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.