Ish-kryetari i OShP-së Kërkon Hedhjen e Aktakuzës

Sahit Bibaj, avokati i Hysni Hoxhës ish-drejtorit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kërkoi nga gjykata hedhjen e aktakuzës me arsyetimin se i mbrojturi i tij nuk e ka shkelur ligjin.

“I akuzuari akuzohet për mënyrën e vendimmarrjes në organin që ka punuar dhe mënyrën e vendimmarrjes ia ka garantuar ligji në fuqi i prokurimit publik dhe udhëzimet nënligjore. Ne besojmë që nuk mjafton vetëm citimi i dispozitave ligjore që një aktakuzë t’i vihet në barrë dikujt, ngase në rastin konkret i akuzuari ka vepruar në pajtim me ligjet në fuqi dhe në kërkojmë nga gjykata që të nxjerr vendimin për hedhje të aktakuzës,” tha avokati Sahit Bibaj.

Ndryshe nga Bibaj, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Haki Gecaj kërkoi që Hoxha të përgjigjet ndaj akuzës që rëndon mbi të.

“Janë paraqitur dhe propozuar prova të mjaftueshme dhe të pranueshme konform dispozitave ligjore që e mbështesin përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri e ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 I Kodit Penal të Kosovës, andaj ai duhet të përgjigjet për këtë vepër penale që akuzohet,” tha prokurori special Gecaj.

Hoxha gjithashtu në fillim të kësaj seanca i pyetur nga kryetari i trupi gjykues nëse dëshiron të ruajë privatësinë e tij, tha se dëshiron që të mos i publikohet fytyra gjatë seancës.

Prokuroria Speciale e Kosovës e ngarkon Hoxhën për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hoxha si kryetar i OShP-së, i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që me datë 3 tetor 2014  dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së  me  konkluzion  se është “res judicata”, pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014.

Bëhet fjalë për konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh,  edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Lidhur me këtë aktivitet prokurimi fillimisht ishte raportuar në KALLXO.com, ndërsa   emisioni “Jeta në Kosovë”  kishte bërë një emision në tetor të vitit të kaluar ku të ftuar ishin drejtori i prokurimit në KEDS, Hysni Hoxha si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i “Electra-s”.

http://kallxo.com/kostt-paguan-400-mije-euro-me-shume-per-nje-tender/

Hoxha është deklaruar i pafajshëm për këtë akuzë.

Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240 euro.

KOSTT-i kishte nisur më 2012 projektin e instalimit të grupeve matëse në kufirin mes KOSTT-it, Korporatës Energjetike dhe OSSh-së që është korporata publike e shpërndarjes së energjisë në Shqipërisë.

Prej 2012-ës e deri në shtator të vitit 2014 ky tender është anuluar katër herë dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.

Dy tenderë janë anuluar me arsyetimin e KOSTT-it se ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme, i treti është anuluar me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion, ndërsa herën e katërt është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

KOSTT-i së fundi më 22 shtator të vitit 2014 shpalli fitues konzorciumin NP “Monten& G3 Inxhinjering” përfaqësues i së cilës është Nexhmi Kastrati. Kjo kompani ofertoi me 2 milionë e 327 mijë euro për kryerjen e kësaj pune.

Ndërsa më 4 nëntor 2014 është nënshkruar kontrata mes KOSTT-it dhe këtij konzorciumi. Për këtë aktivitet prokurimi ishte ankuar kompania “Electra”.

Prokuroria i nisi hetimet për këtë tender të KOSTT-it në prill të vitit të kaluar.

Prokuroria Heton Tenderin Milionësh të KOSTT-it

Seanca e radhës do të mbahet pasi të vendoset lidhur me kundërshtimin e paraqitur nga avokati mbrojtës i Hoxhës.