Laura Codruta Kovesi, ish kreu i Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion. Foto: Octav Ganea

Ish-kryeprokurorja rumune e Anti-Korrupsionit mohon ta ketë politikën si 'Plan B'

Laura Codruta Kovesi është kandidate për t’u bërë kryeprokurorja e parë publike e BE-së, duke zemëruar qeverinë e saj.

 

Ish-kryeprokurorja e anti-korrupsionit e Rumanisë, Laura Codruta Kovesi, ka mohuar të ketë në plan t’i hyjë politikës në rast se nuk arrin të fitojë vendin e prokurorit të parë publik të Bashkimit Europian.

Kovesi fitoi famë si kryeprokurorja e parë luftarake e Drejtorisë Kombëtare të Anti-Korrupsionit të Rumanisë, e cila ka qenë pas ndjekjes penale të qindra politikanëve dhe zyrtarëve publikë, shumë nga radhët e partive qeverisëse të Rumanisë, të akuzuar për korrupsion.

Kandidatura e saj për postin e Prokurorit Publik Europian, i cili do të hetojë fondet e BE-së dhe mashtrimin me taksat e shitjes duke filluar që nga viti 2020, ka zemëruar qeverinë rumune, e cila e shkakroi atë nga posti që mbante në mes të vitit 2018 duke e akuzuar për keqmenaxhim.

Kovesi tha për BIRN se nuk kishte plane të niste një karrierë politike në rast se nuk arrin të fitojë postin e BE-së, duke iu përgjigjur spekulimeve nga një aleat qeveritar, Kelemen Hunor i Bashkimit Demokratik të Hungarezëve në Rumani, i cili tha se ajo do të kandidonte për presidente më vonë këtë vit në emër të partisë opozitare Save Romania Union.

“Nuk kam pasur ndonjë kontakt me ndonjë politikan dhe nuk kam ndërmend të largohem nga profesioni im në drejtësi,” tha 46-vjeçarja.

“Kandidatura e vetme që më intereson është ajo e kryeprokurores publike europiane.”

Sulmet nga qeveria

Kovesi ka mbështetjen e komisioneve për Çështjet e Lirive Civile dhe Buxhetore të Parlamentit Europian, ndërsa presidenti i asamblesë, Antonio Tajani, shprehu mbështetjen e tij në maj gjatë një vizite në Rumani, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të BE-së.

Megjithatë, qeveria rumune është më pak e prirur. Pas shkarkimit të saj, Kovesit iu ndalua largimi nga vendi më herët këtë vit pasi një agjenci e sapokrijuar e ngarkuar me hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve filloi procedimet penale kundër saj. Gjykata Supreme më vonë e hoqi ndalimin kundër saj.

Qeveria e udhëhequr nga Social Demokratët e Rumanisë ka kohë që akuzohet se po përpiqet të dëmtojë luftën kundër korrupsionit endemik në shtetin anëtar të BE-së.

Të hënën, kreu i partisë Liviu Dragnea, i konsideruar gjerësisht si politikani më i fuqishëm i Rumanisë, u dënua me burg për shpërdorim të pushtetit, një ditë pasi më shumë se 80 për qind të votuesve, në një referendum jo të detyrueshëm, hodhën poshtë përdorimin e një dekreti emergjent nga ana e qeverisë për të ndryshuar ligjet për korrupsion dhe zbatimin e amnistive dhe faljeve për zyrtarët e dënuar për korrupsion.

Dragnea ishte dënuar tashmë më parë për manipulimin e votave në vitin 2016, gjë që e ndaloi atë të merrte postin e kryeministrit.

Social demokratët dhe aleatët e saj thonë se Kovesi kërkonte hakmarrje politike dhe vëmendje politike dhe e akuzuan Agjencinë Kombëtare të Anti-Korrupsionit se punonte ilegalisht me agjencinë e inteligjencës të vendit për të kapur të dyshuarit duke përdorur metoda që thanë se të sillnin në mendje policinë sekrete të epokës komuniste të njohur si Securitate.

Rumunët, megjithatë, u mblodhën në mijëra në mbështetje të Kovesit dhe BE-së dhe Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar sulmet e qeverisë ndaj saj.

Rivali i Kovesit për postin e BE-së është prokurori i përgjithshëm francez Jean Francois Bonhert, i cili ndryshe nga Kovesi ka mbështetjen e qeverisë së tij.

Një vendim përfundimtar do të merret nga Këshilli Europian në konsultim me Parlamentin Europian.