
Ilustrim
I dyshuari për fajde në grupin e 'Currit' është dërguar në QKUK
I ndaluar nga Policia që nga 20 maji nën dyshimin për fajde e detyrim, Mentor Maqani do të duhej të ishte në paraburgim.
Mirëpo, siç merr vesh KALLXO.com, ai ka disa ditë që nuk është në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku është përcaktuar të qëndrojë.
Burimet thonë se Maqani është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të një problemi shëndetësor që i është shfaqur disa ditë pasi ndaj tij u vendos që të mbahej në paraburgim.
Lidhur me rastin e tij, KALLXO.com ka kontaktuar Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Këta të fundit konfirmojnë se Mentor Maqani nuk është duke qëndruar në Qendrën e Paraburgimit por në QKUK.
“I paraburgosuri, Mentor Maqani, sipas udhëzimit të mjekut, me datë 05.06.2019 është dërguar në Kliniken Abdominale të ShSKUK-së, ku edhe është ndalur për hospitalizim”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i ShKK-së, Florent Gashi.
Tutje ai ka treguar se Mentor Maqani që nga dita e sotme sipas udhëzimeve të mjekut është transferuar nga Klinika Abdominale në Klinikën e Endokrinologjisë.
Në lidhje me shkaqet se pse Maqani po qëndron në QKUK, KALLXO.com ka kontraktuar drejtoreshën e Repartit të Endokrinologjisë, Venera Berisha.
Ajo tha se nuk mund të japë ndonjë përgjigje për shkak se është në pushim për shkak të një rasti familjar.
Mentor Maqani është pjesë e grupit të drejtuar nga Ismet Osmani, i njohur si Curri.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Ilir Bojku e Adil Thaqi.
Ata janë arrestuar më 20 maj nën dyshimin për fajde, mashtrim dhe detyrim.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.
https://kallxo.com/prokuroriaismet-osmanit-curri-i-mori-shtepine-viktimes/
https://kallxo.com/ish-kryeprokurori-i-speciales-mbron-currin-ishte-konsultuar-per-rastin/
www.kallxo.com