Mentor Gola në sallën e gjykatës në Gjakovë

I dyshuari i kërkon falje familjes së viktimës, nuk i kujtohen veprimet e gjuajtjes me armë

Seanca dëgjimore-përgatitore për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit Mentor Gola për shkak të veprës penale të vrasjes në tentativë dhe mbajtja në kontroll e armës së paautorizuar.

I dyshuari Mentor Gola nga Gjakova, ka dalë sot para gjykatës në seancën [ër caktimin e masës së sigurisë për shkak të veprës penale të vrasjes në tentativë dhe mbajtja në kontroll e armës së paautorizuar.

Gola dyshohet se më 5 qershor kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit dhe në momentin kur kishin dalë jashtë gruaja dhe fëmijët e të dëmtuarit, ai kishte nisur “të shajë e kërcënojë”.

Në aktvendimin për fillimin e hetimeve thuhet se në momentin kur kishte dalë jashtë shtëpisë i dëmtuari, i dyshuari Gola kishte gjuajtur me armë dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Prokuroria pretendon se me këtë veprim. Gola ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë dhe atë të armëmbajtjes pa leje.

Në aktvendim për fillimin e hetimeve nuk është përmendur arsyeja pse i dyshuari mund të ketë shkuar te shtëpia e të dëmtuarit.

Mentor Gola gjendet në ndalim policor që nga 5 qershori.

Në seancën e sotme, Gola i ka ërkuar falje familjes së dëmtuar ndërsa ka thënë se nuk i kujtohen veprimet e tij sepse ka qenë “në ndikim të alkoolit”.

Prokurori e ka lexuar kërkesën e tij për caktimin e paraburgimit dhe pretendimet e tij lidhur me veprën ndërsa avokatja e të dyshuarit e ka kundërshtuar në tërësi kërkesën për paraburgim.

“I mbrojturi im nuk ka shtënë në drejtim të askujt e as nuk është ballafaquar me të dëmtuarin dhe meqenëse ishte në gjendje të dehur nuk e din as vetë se si mund t’i ketë shkrepur arma”, tha avokatja Blerina Kurtaj.

Ajo tha se nuk ekzisrton rreziku që Gola mund të ikë apo të fshehet sepse “ka një vendbanim të caktuar dhe një punë të rregullt”.

“Poashtu nuk ka arsye për të besuar se i njëjti mund të asgjësojë, fshehë apo falsifikojë provat sepse këto prova policia i mbledh në urgjencë dhe ka dy ditë që i mbrojturi gjendet në ndalim”, tha ajo.

I dmëntuari në këtë rast është sekretari i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati”, Lorik Lipoveci.

Në një reagim të lëshuar të mërkurën, kjo kompani e ka dënuar incidentin.

Lipoveci është edhe përfaqësues i kompanisë në çdo çështje dhe kontest juridik dhe mbron apo përfaqëson me autorizim kompaninë pranë çdo organi publik të sistemit të drejtësisë.

“Dënojmë ngjarjen dhe konsiderojmë se ngjarje të tilla dëmtojnë rendin publik dhe integritetin dhe njëherit atakojnë jetën e zyrtarëve të lartë publik. Kërkojmë ndaj organeve të rendit dhe drejtësisë që të merren masa ligjore ndaj kryesit/ve të kësaj ngjarje dhe të vendoset drejtësia sipas ligjit ne fuqi”, thuhet në reagim.

Ndërsa në seancë, avokatja Kurtaj tha se i dëmtuari, përmes faqes së kompanisë “po bën deklarata publike dhe po e pengon hetimin dhe përmes kësaj kompanie po jep konkluzione ende pa u mbyllur çështja”.

Duke kërkuar një masë alternative të sigurisë siç është arresti shtëpiak apo paraqitja në polici, avokatja Kurtaj tha se klienti i saj nuk është ndjekur asnjëherë për ndonjë vepër penale.

Gjykata pritet të marrë vendim në ditët në vijim për masën e sigurisë për të dyshuarin.