Haxhiu: mungesa e përfaqësuesve të qeverisë tregon që këta duan t’ia vazhdojnë monopolin Devollëve

Në seancën në të cilën po diskutohet për ndaljen e monopolit të homologimit, asnjë nga ministrat e qeverisë Haradinaj , madje as vet kryeministri nuk janë në seancë.

E për këtë mungesë reagoi edhe deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu e cila kritikoi këtë qasje.

“Janë 3 persona që do duhej të ishin në seancë. Është Kryeministri  Ramush Haradinaj që do duhej të ishe këtu, por sapo e pashë që ish takuar me deputetin Danush Ademin. Ndërtesa e Qeverisë është shumë afërm, i dyti është Fatmir Limaj, ai i cili e nisi këtë monopol të homolgimit.  Dhe i treti, është dashtë te jetë edhe Pal Lekaj i cili po do të ia vazhdoj monopolin Devolleve”, tha ajo.

Sipas saj i gjithë ky ‘bojkot’ nënkupton që qeveria dëshiron të ia vazhdoj monopolin e homologimit kompanisë ‘Euro Lab’

“Mungesa e këtyre tre njerëzve e te gjithë njerëzve të Qeverisë kallxon se po dojnë me i’a vazhdu monopolin Devollëve”, tha ajo.

Sipas saj kushtetuta është shkelur shumë herë e vite me radhe.

“ Secila Qeveri nga 2009 është në shkelje te kushtetuta. Një ditë ka me dal kushtetuta këtu edhe ka me thanë “O mos më shkelni ma”, se s’la deputetë, ministër, qeveri e president pa e shkelë”, tha ajo.

Sipas saj deklaratat e shefit  të grupit parlamentar të NISMA-së nuk janë të vërteta sepse nuk ka pasur thirrje publike para hartimit të udhëzimit administrativ.

“Z.Sherifi tha se ka pasur thirrje publike para hartimit të Udhëzimit Administrativ. Ai është dashtë të konsultohet me kryetarin e partisë së tij sesi ka ndodhur ky proces sepse nuk ka pasur shpallje publike edhe këtë e konfirmon edhe Instituti GAP, për rastin e dhënies së homologimit. Po e citoj institutin GAP, që thotë se ska pasur shpallje publike për këtë dhe pa konkurrencë”, tha ajo.

Sipas saj e gjitha kjo ‘mjegull’ tregon që e gjitha kjo është bërë për Devollët dhe në dëme të qytetarëve.

“Kjo është bërë me ia dhanë Devollve homologimin dhe e dyta për me i zhvat qytetaret . Nuk ka asnjë ligj në Kosovë që e lejon monopolin. Por edhe nëse e lejon ndonjë ligj,  por epërsia e Kushtetutës  është mbi çdo ligj”, theksoi ajo.

Ndërsa në replikën e tij deputeti Sherifi nuk ka deklaruar se ka pasur shpallje publike për udhëzimin  administrativ.

“Unë thashë se ka pasur shpallje të interesit, sepse në ligjin e asaj kohe tenderi është hapur kur janë dhënë fond publike. Në kohën kur është kontraktuar kjo, nuk ka qenë e detyrueshme shpallja e tenderit. Jam i saktë në atë se çka thashë”, tha ai.