Haxhiu: Grabovci ka Dëmtuar Imazhin dhe Funksionimin e Policisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se deputeti i PDK-së, Adem Grabovci ka dëshmuar se nuk ka dëmtuar vetëm imazhin e policisë por edhe funksionimin e saj.

Në konferencën e sotme deputetja Haxhiu foli për suspendimin e tre policëve të cilët nuk e kontrolluan veturën e Adem Grabovcit në ditën kur ai shkoi në Prokurori për t’u intervistuar.

Haxhiu tha se Grabovci nuk ka dëmtuar vetëm imazhin e Policisë së Kosovës por edhe funksionimin e saj.

“Adem Grabovci shënoi edhe një rast në Policinë e Kosovës. Ai e dëshmoi se jo vetëm se e ka dëmtuar imazhin, por edhe funksionimin e këtij institucioni. Pas skandalit të pashoq, ku djemtë e tij, në formën e kapadaive kishin rrahur policin Avni Selaci, vetëm pse i kishte ndaluar ata, tre policë të tjerë ia panë sherrin Grabovcit. Ata u suspenduan sepse nuk e ndalën shefin e shefave. Si mund ta ndalonin ata babën, kur djemtë për të njëjtin veprim i kishin rrahur policët?”, tha Haxhiu.

http://kallxo.com/nuk-e-kontrolluan-adem-grabovcin-suspendohen-tre-police/

Haxhiu më tutje përmendi edhe sherrin mes djemve të deputetit Grabovci me policin Avni Selacin, pasi që ky i fundit i kishte ndaluar për shkelje të rregullave të komunikacionit.

Më tej Haxhiu tha se veprimi i ditës së djeshme i policëve është ‘dëshmia më e mirë se si kapja e shtetit ka pasoja afatgjate’.

“Edhe sa policë duhet të dëmtohen që të gjykohet Ademi, Ngadhnjim e Guxim dhe anëtarët e klanit Pronto? Edhe sa policë duhet të dënohen që të trimërohet Policia e Kosovës para klanit Pronto? Sa policë duhet të përbuzen që ta marrin guximin – njëjtë si tek shtëpia e Dardan Molliqajt – të pyesin për armët në shtëpinë e Grabovcit?”, shtoi ajo.

Në fund Haxhiu u bëri thirrje organeve të rendit që të jenë në ndjekje të Grabovcit dhe të krimit që zhvillohet në majat e qeverisë, si dhe kërkoi nga ata që të mos gjunjëzohen para familjes së tij e as klanit Pronto.

“Tallja e Grabovcit me institucione duhet të mbarojë. Ky është shkatërrimi i vërtetë i institucioneve. Ironia e tij me gjykatësit, është arrogancë. Kjo është e pa tolerueshme”, tha deputetja Haxhiu.