Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Gjetja e trupave të policëve përmbyll rrugëtimin plot ankth

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se gjetja e trupit të policit Armend Trena pas 10 ditë kërkimesh, po e përmbyll rrugëtimin plot ankth për gjithë ata që pa ndalë u angazhuan ditë e natë dhe pa kursyer asgjë për të kërkuar me ngulm në lumin e rrëmbyer trupat e tyre.

Ai tha se është e dhimbshme dhe trishtuese e gjithë ngjarja, ku policët Armend Trena dhe Malsor Dashi në krye të detyrës,  ranë në lumin Lepenc në rrethana ende të panjohura.

“Ndajmë dhimbjen me familjarët e policëve për këtë tragjedi që u ndodhi dhe si Qeveri e vendit zotohemi që do t’u qëndrojmë pranë për t’u përballur me humbjen e më të dashurve të tyre”, shkroi Haradinaj në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.

Ndër të tjera, ai falënderoi të gjitha njësitet e Policisë, FSK-së, njësitet e Emergjencave, zhytësit, vullnetarët, gjithë ato vajza e djem që nuk u dorëzuan për t’i gjetur trupat e pajetë të dy policëve.

Pas 10 ditë kërkimesh sot u gjet edhe trupi i Armend Trenës, pak ditë pas gjetjes së trupit të kolegut të tij, Malsor Dashi.