Gutaj: MAShT ka mungesë të vizionit për reforma

Në emër të PDK-së në lidhje me gjendjen në arsim që është duke u debatuar në Kuvendin e Kosovës e ka marrë fjalën deputetja Luljeta Veselaj Gutaj.

Ajo tha se partia e saj e ka pasur gjithmonë prioritet arsimin dhe e kanë përcjellur me vëmendje këtë fushë.

“PDK arsimin e ka pasur prioritet dhe e ka në vazhdimësi prioritet kombëtar, kemi ndjekur jo pa shqetësim  vendimet e fundit të MAShT, shqetësimi ynë ka qenë dhe mbetet mungesa e vizionit nga ministria për reforma të qëndrueshme dhe efektive”, tha Gutaj.

Ajo shtoi se arsimi po ballafaqohet me problematika të shumta duke filluar nga nivelet e arsimit para universitar e deri në atë universitar.

“Shqetësuese është reduktimi i projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e cilësisë së arsimit, kjo ka ndodh për shkallën e ulët të realizimit, ky projekt është reduktuar në 3.5 milionë euro dhe duhet të jepni përgjegjësi për këtë ministër”, tha deputetja e PDK-së.

Deputetja e PDK-së pati edhe disa pyetje për ministrin në lidhje me institutin pedagogjik të Kosovës si dhe për zyrën e ankesave të AKA-së.