Gratë nga Prishtina e Beogradi 'Dialogojnë' në Austri

Edicioni i dytë i Akademisë së Dialogut të OSBE-së për gratë e reja lidere nga Prishtina dhe Beogradi, organizuar nën ombrellën e Iniciativës “Follow us” (Na ndiqni) është mbajtur nga 30 shtatori deri më 9 tetor në Stadtschlaining, Austri.

Ky organizim mblodhi 23 aktiviste të reja nga shoqëria civile dhe organizatat rinore, si dhe studente e profesioniste, për të diskutuar rolin e grave në politikë dhe për të ndërtuar rrjete avokimi. Qëllimi ishte të inkurajohen ato që të luajnë rol më të fuqishëm në promovimin e të drejtave të grave dhe të kontribuojnë në pajtim.

Përmes ligjëratave të kombinuara nga akademikë ndërkombëtarë, aktiviteteve ekip-ndërtuese në mjedise të hapura, pjesëmarrësit mësuan për ndërmjetësimin, analizën e konflikteve dhe teknikat e zgjidhjes së tyre, si dhe u angazhuan në lojë me role me shembuj konkretë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Një delegacion nga Kryesia e ardhshme austriake e OSBE-së dhe e grave të shquara nga Iniciativa “Follow us” vizitoi pjesëmarrëset për të shprehur përkrahjen e tyre për Akademinë. Gratë e shquara ndanë përvojat e tyre në politikë, si dhe diskutuan me pjesëmarrësit çështjet që kryesisht ndikojnë tek gratë në rajon.

“Akademia ishte mundësi e madhe për ne që të fokusohemi tek ngjashmëritë dhe sfidat që ne i përballim si gra të reja në rajon”, tha pjesëmarrësja Liza Gashi. “Por përtej mirëkuptimit, kjo Akademi ofron hapësirë për projekte të përbashkëta, të cilat kanë për qëllim të fuqizojnë gratë e reja në politikë”, shtoi ajo.

Zëvendësshefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Paivi Nikander, shpërndau certifikatat për pjesëmarrës, si dhe theksoi që është krenare të shohë gra të fuqishme, të përkushtuara e të reja që kanë vendosur të tejkalojnë barrierat e të punojnë bashkë. Ajo theksoi: “Ato janë gjenerata e ardhme e liderëve, që do të arrijnë të sjellin në tavolinë një perspektivë krejtësisht tjetër ndaj zgjidhjes së problemeve të së kaluarës, si dhe të përballimit të sfidave të së tashmes.”

Kjo ngjarje u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi, si pjesë e punës së tyre në avancim të pjesëmarrjes së grave në dialog dhe zgjidhje të konflikteve, por edhe në proceset e vendim-marrjes. Dy misionet kishin krijuar iniciativën “Follow us”, dialog ky i grave të shquara nga Prishtina dhe Beogradi, më 2012, dhe e kanë lehtësuar atë që atëherë. Iniciativa mbledh rreth vetes deputete, akademike, shoqëri civile e media nga të dyja shoqëritë, thuhet në komunikatën e Misionit të OSBE-së në Kosovë.