Gjykatës e Prokurorë Nderohen me Çmimin 'Sali Çekaj'

Ministria e Drejtësisë iu ka ndarë 8 gjyqtarëve dhe 4 prokurorëve të Kosovës, çmimin për drejtësi “Sali Çekaj”.

Fituesit e këtij çmimi nga radhët e gjyqtarëve janë  Vehbi  Kashtanjeva, Alltëne Murseli, Hajriz Hoti, Minir Hoti, Raima Elezi, Sahit Krasniqi dhe  Afrim Shala, Nenad Llaziq.

Ndërkaq prokurorët që fituan këtë çmim janë Drita Hajdari, Admir Shala, Blerim Isufaj dhe Fikrije Fejzullahu.

Çmimi “Sali Çekaj”, sipas Ministrisë së Drejtësisë, ndahet me qëllim të promovimit dhe shpërblimit të punës së individëve të caktuar në fushën e drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë për KALLXO.com radhiti kriteret në bazë të të cilave ndahet çmimi për personat që kontribuojnë në fushën e drejtësisë.

“Ky çmim u jepet individëve për punën e tyre në fushën e Drejtësisë në Kosovë,  për kontributin e dhënë në avancimin e çështjeve ligjore me rëndësi, promovimin e të drejtave të njeriut, për arritjet e reja në fusha të ndryshme të drejtësisë, promovim të sundimit të ligjit, kontributin në fushën akademike ,në përgatitjen e kuadrove të reja dhe të arritura të tjera”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Në mënyrë që të kandidohen për marrjen këtij çmimi, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të propozohen nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial.

Ky çmim ndahet që nga viti 2011.