Kabllo e prishur - Foto: KALLXO.com

FOTO – Kryeqytetasit pa ngrohje, ‘Termokos’ e KEDS bëjnë fajtor njëri-tjetrin

Ngrohtorja “Termokos” dhe kompania për distribuim dhe furnizim me energji elektrike, KEDS, po shtyhen ndërmjete vete se kush e ka fajin që disa banorë të kryeqytetit mbetën këto ditë pa ngrohje.

“Termokos” kishte njoftuar konsumatorët  se për shkak të ndërprerjeve të gjata dhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it është pamundësuar furnizimi me ngrohje.

Në anën tjetër, KEDS ka deklaruar se prishja ka ndodhur në asete të “Termokos”-it dhe se i kanë dalë në ndihmë duke e sanuar prishjen.

KALLXO.com gjatë ditës ka vizituar nga afër nënstacionin Prishtina 3, i cili gjendet në afërsi të objektit të KEDS-it, aty ku ndodhet edhe ndërprerësi dhe kabllo ku ka ndodhur prishja e që ka shkaktuar mungesë të energjisë elektrike dhe si pasojë edhe mungesë të ngrohjes.

Zyrtarë të KEDS-it kanë bërë të ditur për KALLXO.com se gjatë ditës së sotme do të përfundojë rregullimi edhe i kabllos së dytë, që është në pronësi të “Termokos”-it, përderisa sipas tyre rregullimi i saj do t’i faturohet ndërmarrjes “Termokos”.

Ndërkaq, zëdhënësja e ngrohtores së kryeqytetit, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka thënë për KALLXO.com se kablloja në të cilin janë paraqitur fillimisht problemet është kabllo furnizuese vetëm për nevojat e “Termokos”-it, ndërsa mirëmbajtjen e saj dhe pajisjeve tjera mbrojtëse (ndërprerësit), sipas saj e bën KEDS-i.

“Aktualisht, jemi duke furnizuar me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore pothuajse gjithë konsumatorët tanë, që nga pasditja e djeshme. Në fakt, ndërprerjet e paparalajmëruara të energjisë elektrike, të cilat gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar disa dëmtime në sistemin e ngrohjes qendrore, me stabilizimin përfundimtar të të cilave janë duke u marrë, që nga orët e hershme të mëngjesit ekipet tona në terren”, thuhet në përgjigjen e saj.

Sipas Uka-Fejzullahut, pas përfundimit të këtyre ndërhyrjeve do të ketë stabilizim të plotë të furnizimit me ngrohje për gjithë konsumatorët.

Në anën tjetër, KEDS e kishte fajësuar “Termokos”-in se po i dëmton pajisjet e veta gjatë punimeve.

“Kjo nuk është hera e parë që po paraqiten prishje në kabllot e Termokosit. Aty kanë dy linja 10 kV (kilovolt) që e furnizojnë këtë ndërmarrje, pra 6 kabllo. Ato kabllo janë të dëmtuara nga vet punimet e Termokosit”, thuhet në komunikatën e kësaj kompanie.