Faton Topalli në Arrest Shtëpiak, Donika Kadaj- Bujupi në Liri

Gjykata e Apelit ka vendosur që t’iu zbusë masat e sigurisë të pandehurve Faton Topalli dhe Donika Kadaj Bujupi deputetë të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë mënyrë, kjo gjykatë Faton Topallit i ka ndryshuar masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ndërsa ndaj Donika Kadaj Bujupi nga arresti shtëpiak mbrojtje në liri.

Gjykata e Apelit ka gjetur se sa i përket të dyshuarës Donika Kadaj Bujupi, nga shkresat e lëndës, nuk rezulton asnjë rrethanë e posaçme, objektive që do ta bënte të arsyeshëm bazën ligjore, të vazhdimit të arrestit shtëpiak.

Gjithashtu edhe në rastin e të dyshuarit Faton Topalli, Apeli  vlerëson se me masën e arrestit shtëpiak, do mund të sigurohej prania e tij në procedurë.

Donika Kadaj-Bujupi ishte arrestuar më 18 nëntor ndërsa  Faton Topalli më 8 dhjetor. Ndaj tyre, sikur edhe ndaj deputetëve Albin Kurti e Albulena Haxhiu, prokuroria ka ngritur aktakuzë për shkak të dyshimeve për hedhje të gazit lotsjellës në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës gjatë protestës së partive opozitare.

“Të pandehurit Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli akuzohen që secili veç e veç kanë kryer veprat penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare,” thuhej në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.