EULEX përkujton doganierin e vrarë në vitin 2013 në veri të Kosovës

Misioni i Bashkimit Europian EULEX ka përkujtuar doganierin e vrarë më datë 19 shtator të vitit 2013, Audrius Senavicius.

Ai ishte qëlluar për vdekje nga persona të panjohur në pjesën veriore të Kosovës gjersa kishte qenë duke udhëtuar me veturë për në punë, kurse autorët e vrasjes ende nuk janë identifikuar.

Në nderë të kujtimit për të, Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për burime në Policinë e Kosovës, Dejan Jankovic, dhe Zëvendëskryetari i Zveçanit, Nenad Popović vizituan sot vendin ku Audriusit i ishte marrë jeta dhe vendosën një kurorë tek përmendorja e tij.

Gjatë kësaj vizite shefi i Misionit EULEX Wigemark ka thënë se “Sot ne qëndrojmë këtu në vendin ku kolegu ynë Audrius Šenavičius nga Lituania ishte vrarë para plot shtatë viteve”.

Në vitin 2018 lënda e këtij rasti i është dorëzuar Prokurorisë së Kosovës, e sipas EULEX tashmë prokurorët vendor janë duke e ndjekur rastin, por ende pa rezultate.

EULEX-i edhe një herë i bën thirrje secilit që mund të ketë informata të cilat mund të jenë të dobishme për hetimet që të paraqiten pa hezitim. Ky Mision ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 82.000 Euro për çfarëdo informate që sjell deri te arrestimi i kryerësit(ve) të kësaj vrasje, thuhet në komunikatë.