Enver Hasani, ish-rektor i UP-së | Foto: KALLXO.com

Enver Hasani: Aktakuzë pa më Marrë në Pyetje!

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka reaguar ndaj aktakuzës të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur sot ndaj tij për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në reagimin e tij, Hasani thotë se aktakuza ndaj tij është ngritur pa u intervistuar paraprakisht nga hetuesit.

“As në sistemet më totalitare nuk ngritet aktakuzë pa pasur një deklaratë të të pandehurit. Unë dje kam qenë në polici pa avokat dhe kam dërguar kërkesën që Gjykata Themelore është duke e shqyrtuar qe disa muaj dhe akoma nuk ka verdikt”, ka thënë Enver Hasani.

Sipas Hasanit, aktakuza e ngritur është “më shumë se hakmarrje ndaj meje, arbitraritet i pafund”.

Enver Hasani po gjykohet edhe për mashtrim kur si ish-rektor i UP-së kishte nënshkruar kontratë për përkthimin e librave në gjuhën shqipe për nevojat e universitetit.

Gjatë deklaratave të tij në këtë rast, ai e ka akuzuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi për hakmarrje.

“Hetuesve ua kam bërë të qartë se kjo nuk është deklaratë e imja e as mbrojtje në heshtje siç e kërkon ligji. Kjo sepse një procedurë gjyqësore për çështjen e sigurimit të provës është duke u zhvilluar dhe akoma nuk ka përfunduar sepse ngelet e pazgjidhur çështja e imunitetit”, tha Hasani në këtë deklaratë.

http://kallxo.com/enver-hasani-me-aktakuze-rama-hajrizi-lirohet-prej-hetimeve/