Emërohet zëvendëskomandanti i ri i KFOR-it

Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO ka një zëvendëskomandant të ri.

Sot gjeneral brigade nga Austria, Guenther Schoepf, mori pozicionin e dytë në hierarkinë e KFOR-it nga gjeneral brigade zviceran Laurent Michaud, i cili shërbeu për 13 muaj në Kosovë.

Emërimi i zëvendëskomandantit të ri u bë në një ceremoni zyrtare që u mbajt në Selinë e KFOR-it, kryesuar nga Gjeneral Major Michele Risi, Komandanti i Forcës së Kosovës, në të cilën ceremoni edhe ish zëvendës komandanti zviceran Michaud është përshëndetur duke falënderuar ushtarët e KFOR-it.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Gjenerali Schoepf gjithashtu mori përsipër nga paraardhësi i tij menaxhimin e ‘Shpatës së Argjendtë 2020-2021’, stërvitja tradicionale e KFOR-it për reagim ndaj situatave emergjente e ku për herë të parë Institucionet në Kosovë të kenë një rol të madh në planifikimin dhe kryerjen e aktiviteteve.

KFOR përbëhet nga 3,500 ushtarë nga 26 Kombe të NATOs dhe ato partnere dhe është i përkushtuar të kontribuojë në një mjedis të qetë e të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të KB të vitit 1999.