Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Ekspertët financiarë dëshmojnë në gjykimin për krim të organizuar

Dy ekspertë financiarë, Xhevdet Krasniqi dhe Shaban Baftiri, kanë dëshmuar në gjykimin kundër një numri të madh të të pandehurve, të akuzuar për krim të organizuar.

Ky rast gjyqësor është ndër 39 rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Në fillim të seancës, Krasniqi e Baftiri njoftuan trupin gjykues të Gjykatës Themelore në Mitrovicë se në pajtim me prokurorin e rastit i kishin ndarë shkresat e lëndës dhe kishin punuar në veçanti secili nga ekspertët pjesën e vet.

Në ekspertizën e paraqitur siç thanë ekspertët ishin  përfshirë transkriptet e dëgjimit të bisedave telefonike, materiale nga Administrata Tatimore e Kosovës, pasqyrat financiare të cilat janë në shkresat e lëndës për secilin të pandehur lidhur me lëvizjet e mjeteve apo transaksioneve financiare për secilin rast.

Pas pyetjes së prokurorit Abdurrahim Islami se a janë elaboruar të gjitha provat lidhur me transkriptet e bisedave telefonike në të cilat janë përmendur shuma të mëdha, në një rast të cilin e përmend prokurori shuma mbi 10.000 euro, eksperti Xhevdet Krasniqi shpjegoi se në disa raste shumat e përmendura në bisedat telefonike nuk e kanë pasur mbështetjen e dokumenteve financiare andaj edhe janë konsideruar si prova të pamjaftueshme.

“Në tërësi, të gjitha provat të cilat i kemi pasur në shkresat e lëndës i kemi ekzaminuar mirëpo në rastet kur janë theksuar shumat në bisedat telefonike e nuk kanë pasur mbështetjen në transaksionet financiare apo dokumente financiare i kemi trajtuar si prova të pamjaftueshme“, tha dëshmitari Krasniqi.

Kurse lidhur me pyetjen e prokurorit Islami për qarkullimin e llogarisë financiare të të pandehurit Azem Islami, ku sipas tij i njëjti kishte pasur hyrje në vlerë prej 64.000 euro, dalje 60.148 euro, po ashtu i njëjti kishte bërë pagesa të kredive në emër të paguesit “NTP Golden Benz” me qarkullim në hyrje 10.570 euro respektivisht dalje 10.190 euro, dhe me faktin se gjatë bastisjes së të pandehurit tek i njëjti ishin gjetur para ‘cash’ në vlerë prej 21.000 euro eksperti tregoi se lidhur me këtë të pandehur ekzaminimi ishte bërë në bazë të dokumentacionit financiar me ç’rast sipas tij nuk ishte evidentuar ndonjë destinim i dyshimtë.

“Ekzaminimi i këtyre të dhënave financiare në rastin konkret për të dyshuarin Azem Islami është bërë ekskluzivisht në bazë të dokumentacionit financiar lidhur me transaksionet e realizuara e që janë urdhër-pagesat dhe deponimet ku në asnjë rast, në këto raste nuk është theksuar ndonjë destinim i dyshimtë. Përkundrazi përshkrimet e veprimeve në transaksione kanë qenë të qarta dhe në mënyrë precize të shkruara për çfarë qëllimi është bërë transaksioni prandaj kemi konsideruar që këto transaksione janë legale të vërtetuara me prova financiare sipas rregulloreve në fuqi për këtë qellim“, tha eksperti.

Ndërsa anëtari i trupit gjykues Avni Mehmeti kërkoi që të bëhej sqarim lidhur me një konstatim në ekspertizë për të dyshuarin Azem Islami, ku ishte thënë se i pandehuri ka pasur hyrje në biznes në shumë 64.197.74 euro kryesisht nga pagesa nga klientët dhe deponimet ‘cash’.

Ai kërkoi të dijë nëse ekspertët kishin analizuar se këto të hyra nga shitja e çfarë lloj malli kanë qenë, kush ishte furnizuesi i të dyshuarit me mall, a ishte furnizuar ky i dyshuar në përputhje me dispozitat ligjore, a janë realizuar faturat e furnizimit në raport me vlerat e hyrjeve, dhe a ishte bërë furnizimi me mall nga brenda vendit apo nga jashtë.

Eksperti shpjegoi se ky konstatim ishte bazuar në raportin e kontrollit të ATK – së, duke përfshirë komplet dokumentacionin afarist të operatorit ekonomik, ku hyjnë blerjet dhe shitjet, si dhe transaksionet financiare, por tha se ata nuk i kishin pasur për ekzaminim faturat individuale të mallrave.

Kurse i pandehuri Islam Azemi shpjegoi se  ky raport i ATK-së kishte përfshirë biznesin nga hapja e tij deri në lëshimin e urdhrit të prokurorit për ekspertizë.

Kurse prokurori gjithashtu kërkoi të dijë nga eksperti lidhur me bizneset “Spahia Petrol”, “Petrol Company”, “Bahar Pizza”, “BTP Holding”, “Migros Petrol”, “Gryka Petrol” në Pejë, “Qollaku Petrol”, se shmangiet që kanë bërë këto biznese a janë konstatuar në bazë të të gjeturave në momentin e bastisjes apo në bazë të dokumentacionit që ekspertët kanë pasur.

Eksperti tregoi se kjo shmangie ka qenë e përgjithshme e jo shmangie vetëm gjatë bastisjes.

Lidhur me të pandehurin Selami Morina eksperti pas pyetjes së prokurorit ka theksuar se i njëjti ka obligime shtesë në vlerë prej 12.981 euro, pastaj edhe një pjesë të TVSH, duke nënkuptuar që subjekti ka pasur obligime shtesë të papërmendura në momentin e raportimit nga ATK.

Në fund të seancës pas pyetjes së gjyqtarit Burim Ademi se mbi çfarë baze i kanë bërë konstatime ekspertët, ata treguan se ato ishin bërë në bazë të raporteve të ATK – së dhe të dhënave të Doganës pasi që ishin bërë verifikimet e dokumentacioneve mbështetëse të këtyre raporteve.

Sipas aktakuzës së ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës, Besim Zeqiri dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq akuzohen se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në këtë rast, kanë qenë të akuzuar edhe Besim Zeqiri dhe Ridvan Avdiu, mirëpo më 22 shkurt 2017 ndaj tyre ishte veçuar procedura, për shkak se ata gjendeshin me vendbanim jashtë Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar edhe me herët kur ky rast ishte shtyrë për arsyes të ndryshme.

http://kallxo.com/shtyhet-serish-gjykimi-i-shenjestruar-per-liberalizimin-e-vizave/

Në një edicion të emisionit “Drejtësia në Kosovë është transmetuar hulumtimi rreth aksionit të ATK-së në Veri lidhur me vjedhjen tatimore.

Operacioni i bastisjeve nga Policia dhe ATK-së është zhvilluar nën krismat e Kallashnikovëve.

Ndërsa, në nëntor 2016, emisioni “Jeta në Kosovë“ transmetoi hulumtimin për vjedhjen e organizuar tatimore.