Foto: Policia e Kosovës

Ish-kryeprokurori Shyqyri Syla avokat i “Kaçës”

Besim Zeqiri, i njohur si “Kaça”, është arrestuar të premten në veri të Kosovës për kontrabandim me mallra.

I njohur për organet e drejtësisë së Mitrovicës, për përballjen në gjyq “Kaça” ka “zënë“ avokat ish-kryeprokurorin e Mitrovicës, Shyqyri Syla.

Syla ishte kryeprokuror në kohën kur “Kaça” ka qenë në arrati dhe i dyshuar për disa vepra penale në vitin 2018.

Shyqyri Syla ka mbajtur postin e kryeprokurorit për tri mandate, deri në vitin 2020.

Por tani pas pensionimit ai ushtron profesionin e avokatit.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se “Kaça” ka 34 incidente në të kaluarën e tij kriminale, shumica prej të cilave të natyrës së kontrabandimit.

Besim Zeqiri është arrestuar të premten në veri të Kosovës për kontrabandim me mallra dhe tanimë ndodhet në paraburgim për një muaj me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Genc Hasani.

Paraburgimi iu caktua edhe të dyshuarit Aleksandar Mihajloviq, kurse Zhelko Koshanin, Marko Milkoviq dhe Jovan Gjukiq u liruan në procedurë të rregullt.

Besim Zeqiri në tetor të vitit 2021 ishte shpallur për një kohë edhe në kërkim policor, ndonëse vetëm dy muaj më herët, në gusht të 2021 ai ishte arrestuar nga Policia.

Arrestimi i radhës i “Kaçës” kishte ndodhur gati një vit pas shpalljes në kërkim, në gusht të 2022-tës.

Ai në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për disa vepra penale pas disa vitesh të kaluara në arrati, por më pas ishte liruar.

Ai njihet edhe për qëndrimin e tij në arrati për disa vite, para se të arrestohej më 2018, por edhe kësaj radhe ai prapë ishte liruar.

“Kaça” i kishte ikur Policisë në gusht të vitit 2021, e ndjekja e tij ishte zhvilluar si në filma.

Zeqiri kishte arritur të arratisej ndërsa gjatë arratisjes një polic kishte mbetur i lënduar.

Paraburgimi iu caktua të dyshuarve Besim Zeqiri dhe Aleksandar Mihajloviq, kurse Zhelko Koshanin, Marko Milkoviq dhe Jovan Gjukiq u liruan në procedurë të rregullt.

Kjo masë iu caktua nga gjyqtari i procedurës paraprake Genc Hasani sipas kërkesës së Prokurorisë së përpiluar nga prokurori Arian Xhema.

Sipas dosjes së Prokurorisë të dyshuarit kanë kontrabanduar mall nga Serbia në Kosovë në mënyrë ilegale me qëllim të shmangies së obligimeve doganore mirëpo ishin kapur nga Policia.

Me rastin e kontrollit të njërit prej automjeteve të përfshira ishte gjetur sasi e madhe e cigareve.

Ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja të armës – pistoletë dhe një e armës së gjatë.

Në vendngjarje Policia kishte sekuestruar mallin e kontrabanduar dhe mjetet të cilat i kanë shërbyer për kryerjen e veprës.

Tek i dyshuari Aleksandar Mihajlloviq janë gjetur dy radiolidhje për komunikim dhe një e njëjtë është gjetur afër njërit prej automjeteve.

Fillimisht i dyshuari Jovan Gjukiq ka dalë nga vetura dhe ka komunikuar me dikë në telefon në gjuhën serbe duke thënë “rruga është e pastër” kurse pas një kohe të shkurtër ka ardhur një veturë tjetër ku ishin të dyshuarit Zhelko Koshanin dhe Marko Milkoviq.

Këta të fundit, sipas dosjes, kishin dalë nga vetura duke folur vazhdimisht në telefon dhe kishin filluar të shkonin në drejtim të vendit ku ishin fshehur zyrtarët policorë.

Disa minuta më vonë në vendngjarje kishte ardhur edhe një veturë tjetër në të cilën ishin të dyshuarit Besim Zeqiri me vëllanë e gruas së tij – të dyshuarin Aleksandar Mihajloviq.

Dosja thotë se pas futjes në kontroll të këtyre pesë të dyshuarve është afruar edhe një veturë tjetër, të cilës Policia i kishte dhënë shenjë të ndalojë.

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com thuhet se N.N. kishte dalë nga automjeti nga i cili kishte shtënë dhe ka ikur në drejtim të panjohur. I njëjti tanimë ndodhet në arrati dhe mbetet i paidentifikuar.