Tryeza në ditën e komunitetit egjiptian | Foto: KALLXO.com

Egjiptianët mes Shpresës dhe Sfidës për të Jetuar në Kosovë

Me një tryezë dhe një protestë në Prishtinë nisi Java e Komunitetit Egjiptian në ditën nacionale të këtij komuniteti.

Në tryezë, Veton Berisha, përfaqësuesi politik i këtij komuniteti tregoi për sfidat me të cilat përballen egjiptianët në Kosovë, duke kërkuar mbështetje për ta.

“Çështje të cilat komunitetin egjiptian e preokupojnë më së shumti janë pozita e të rinjve, trajtimi i tyre, trajtimi i tyre në shoqëri , perspektiva për të ardhmen, pozicioni ekonomik, shpresa për të vazhduar të jetuarit në Kosovë. Të gjitha këto na bëjnë me mendu mire se ne si përfaqësues politikë të marrim përgjegjësi shtesë ndaj pozicionit të të rinjve dhe i gjithë komuniteti egjiptian të ndryshojë sa ma parë”, tha Berisha.

Berisha më tutje konstatoi se të rinjtë egjiptianë kanë filluar ta lëshojnë Kosovën.

Scott Lang nga ambasada amerikane në Kosovë tha se të rinjtë egjiptianë duhet të shkollohen më shumë.

Për çështjen e shkollimit të egjiptianëve foli edhe Stefano Gnocchi nga zyra e BE-se në Kosovë që i sugjeroi Universitetit të Prishtinës të pranojë më shumë studentë nga ky komunitet.

Avokati i popullit Hilmi Jashari teksa i siguroi egjiptianët se do të jetë krah i tyre kërkoi nga ky komunitet që edhe vetë të angazhohen për respektimin e të drejtave të tyre.

“ Ju jeni mundësia më e mirë për përparimin  e komunitetit egjiptian në Kosovë,nuk ka asnjë gjë tjetër, as forcë ligjore, as kushtetutë që munden me ndihmua ma shumë sesa vetë ju. Avokati I popullit sigurisht që do të jetë krah i juaj, po ashtu avokati i popullit ka nevojë për ndihmën nga ju, siç keni nevojë ju për ndihmën e avokatit të popullit”, tha Jashari.

Jashari tregoi se Institucioni i Avokatit të Popullit e ka një përfaqësues të egjiptianëve, i cili tha se e informon këtë institucion për këtë komunitet.

Pas tryezës, disa përfaqësues të komunitetit egjiptian protestuan në Sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës.

“Duam Punë!”, “Jam Egjiptian, nuk jam Maxhup!”, “Ngjyra ime ka Vlerë!”, “Dua të jem Akademik, jo Analfabet”, ishjin disa nga parullat e protestës.

??????????????