Egjiptianët Kërkojnë Punë, u Ofrohen Fjalë

Përfaqësimi i komunitetit egjiptian në institucionet e Kosovës ekziston por ai nuk është i kënaqshëm, tha Kryeministri Isa Mustafa me rastin e ditës së këtij komuniteti.

Mustafa u shpreh se e kaluara e këtij komuniteti është “me shumë probleme por e dinjitetshme”.

“Kur është fjala për zyrtarë ne nuk jemi të kënaqur me numrin e tyre dhe përfaqësimin sepse dëshirojmë që ky përfaqësim duhet të jetë më i madh dhe e kemi për borxh që të jetë më i madh. Përfaqësimi në Kuvend flet për atë se komuniteti egjiptian po integrohet dhe është bërë pjesë e institucioneve dhe ndërtimit të Kosovës”, tha Mustafa.

Ndërsa Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se sistemi arsimor është fushë ku komuniteti egjiptian duhet të integrohet plotësisht në mënyrë që të sigurohet gjithëpërfshirja dhe arsim cilësor.

“Te arsimi parauniversitar Ministria e Arsimit është duke punuar me kompetenca në kurikulë në sigurimin e teksteve të mira dhe në dhënien e bursave sa më shumë. Ne me partnerët ndërkombëtarë për çdo vjet japim 500 bursa për nxënësit e komuniteteve dhe do të vazhdojmë me këtë politikë dhe gjithpërfshirje. Do të punojmë me juve për një drejtim sa më të madh të nxënësve drejt drejtimeve profesionale”, tha Bajrami.

Bajrami tha se komuniteti egjiptian do të ketë qasje në të gjitha nivelet e studimeve.

Ndërsa Mustaf Myrtaj, zëvendësministër i Administratës Publike nga komuniteti egjiptian, u ankua për numrin e vogel të pjesëtarëve të këtij komuniteti në institucione publike ndërsa kërkoi që ky përfaqësim të rritet.

Ai tha se vetëm katër egjiptianë janë të punësuar në nivelin qendror. ndërsa në nivelin lokal, sipas tij, janë të punësuar vetëm 8 egjiptianë.

Edhe vitin e kaluar në ditën e tyre ky komunitet ka kërkuar që të ketë më shumë vende të punës dhe perspektivë për ata.

http://kallxo.com/me-kerkesa-dhe-shqetesime-egjiptianet-festojne-diten-e-tyre/