Skanerët gjatë inaugurimit të Thaçit President

Dy Skanerë për Kuvendin

Me 1 prill të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka publikuar njoftimin për kontratë lidhur me këta skanerë në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Sipas këtij njoftimi, Kuvendi i Kosovës për furnizim me skanerë ka parashikuar kontratë në vlerë prej 70 mijë eurove.

Në njoftim bëhet e  ditur se afati i fundit për pranimin e tenderëve ka qenë me 21 prill 2016, kur edhe është bërë hapja e ofertave.

KALLXO.com pyeti Administratën e Kuvendit të Kosovës se për çfarë shërbejnë këta skanerë, por zyrtarë të legjislativit thanë se procesi për këta skanerë ende nuk ka përfunduar.

“Sipas njoftimit te Drejtorisë se Prokurimit, lënda-tenderi është ne procesin e vlerësimit,” thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë aktivitet të prokurimit, Kuvendi i Kosovës ka paraparë procedurë të hapur dhe kriteri për dhënie është çmimi më i ulët.

Qeveria e Kosovës mjete për skanerë i ndau Kuvendit në mbledhjen e 9 marsit të këtij viti.

Zyrtarë të Kuvendit duke u arsyetuar se procedurat për skanerët nuk kanë përfunduar, nuk treguan nëse skanerët që pritet të blihen lidhen me këto para të dhëna nga qeveria.

Ndarja e 70 mijë eurove për blerjen e skanerëve është paraparë edhe me buxhetin e këtij viti.

Opozita nga tetori i vitit të kaluar e deri në fund të shkurtit të këtij viti kur lëshoi sallën e Kuvendit, në përpjekje për të penguar punën e legjislativit dhe duke kundërshtuar marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, hodhi vazhdimisht gaz lotsjellës në Kuvend.

Tri partitë opozitare nuk vazhduan kundërshtimin e përbashkët pas anulimit të protestës së 26 marsit.