Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kontrollojnë një të dyshuar - Foto: KALLXO.com

Droga në Shkolla, 114 Persona në Pranga

Policia e Kosovës njofton se gjatë realizimit të operacionit “Stop drogave në shkolla”, që është zhvilluar ndërmjet datave 2 e 31 tetor, janë arrestuar 114 persona.

Në një njoftim, Policia thotë se ka realizuar aktivitetet e saja në fushën e parandalimit, duke zhvilluar kontakte me personelin e shkollës, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, janë mbajtur ligjërata, janë shpërndarë fletushka dhe janë angazhuar zyrtarë policorë për patrullime rreth shkollave.

Në fushën operacionale janë kontrolluar persona të cilët kanë frekuentuar në zonën e sigurisë 300 m rreth shkollave, po ashtu janë kontrolluar vetura, lokale dhe vende tjera të dyshuara.

Me këtë rast, në periudhën raportuese janë realizuar: 933 vizita dhe kontakte me personelin e shkollave, 1813  patrullime rreth shkollave, 2385  persona të kontrolluar, 958  vetura të kontrolluara, 75  lokale të kontrolluara, 23 ligjërata në shkolla, 1505 pjesëmarrës, nxënës, 100 pjesëmarrës, prindër, 1265  fletushka e broshura.

Ndërsa, si rezultat i angazhimit të shtuar policor janë: iniciuar 101 raste dhe janë arrestuar 114 persona.

Po ashtu, Policia ka konfiskuar: Marihuanë 3 kg e 781.75 g (në realizim të planit), heroinë 267,5 g (jashtë oborreve të shkollave), 2 bimë të kanabisit (jashtë oborreve të shkollave), 1 tabletë ekstazy (jashtë oborreve të shkollave).

Nga gjërat e tjera të konfiskuara janë: 4804.6 euro, 4 armë, 54 fishekë, 1 boks hekuri, 1 veturë dhe 1 shufër metalike.

Bazuar në të dhënat statistikore dhe aktivitetet në terren vërehet se numri më i madh i rasteve është iniciuar në perimetrin e sigurisë prej 300 metrash rreth shkollave si në parqe, rrugë e hapësira të tjera.

Prej numrit të përgjithshëm të të arrestuarve 25 janë nxënës (të gjithë të shkollave të mesme), dhe 89 nuk kanë qenë nxënës.

Po ashtu, prej numrit të përgjithshëm të të arrestuarve (114), 38 persona kanë qenë shpërndarës të drogës dhe 76 konsumues.