Qavolli: Prokuroria në Pejë ka ngritur aktakuzë për 0.01 gram të drogës

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, këtë javë ka trajtuar temën për luftën e policisë dhe prokurorisë ndaj drogave në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.

Shitja e drogës në afërsi të shkollave ishte tema e cila është trajtuar për këtë javë nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

Për Prokurorinë Themelore në Pejë, dukuri e shitjes së drogave në afërsi të shkollave është mjaft shqetësuese.

Ersan Qavolli, Prokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë ka treguar për “Drejtësia në Kosovë”, se ka pasur raste kur prokuroria ka ngritur aktakuzë për sasinë 0.01 gram.

“Sa i përket rasteve që kanë të bëjnë me afërsi të shkollave po theksoj tek perimetri 350 metra, ka raste kur kemi ngritur aktakuza dhe për sasi teje të vogël, mund të jetë 0.01 gram, ose 0.02. gram”, ka thënë Qavolli.

Ai ka thënë se arsyeja pse janë ngritur këto aktakuza  përveç dëmit që është shumë i madh, prej tre deri në 15 vite burgim, është edhe infektimi  që mund të ju bëhet të miturve nga droga.

Qavolli në emision ka treguar se gjatë vitit 2017, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur 81 kallëzime penale, ndërsa shuma është rritur gjatë viti 2018 kur janë ngritur 150 kallëzime penale.

“Është e vërtetë se kjo dukuri paraqet veprimtari shqetësuese për prokurorinë e Pejës mirëpo prokuroria nuk ka qëndruar duarkryq në këtë drejtim”, tregon Qavolli.

Emisionin e plotë të “Drejtësia në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.