Operacioni i policisë "Matrikula" | Foto: Policia e Kosovës

Dhjetë të Arrestuar për Kontrabandim me Kafshë

Në operacionin e koduar me emrin “Matrikula” Policia e Kosovës bashkë me njësitë patrulluese, Sektorin  e Hetimeve  të  Departamentit  të  Policisë Kufitare dhe të ndihmuar nga zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës e Doganës kreu bastisje dhe arrestoi dhjetë persona në regjionet e Gjilanit, Ferizajt dhe Prizrenit.

Policia në një komunikatë tregoi se pse arrestoi dhjetë personat.

“H. Sh, A. B, D. R, I. H, A. P, M. H, N. H, Z. Z dhe M. H, janë arrestuar nga policia pasi që dyshohen se  në mënyrë të vazhdueshme, të  organizuar dhe në  bashkëpunim kanë   kryer  disa vepra penale që kryesisht ndërlidhen me  krim të organizuar, kontrabandim   me mallra, falsifikim  të dokumenteve, legalizim të përmbajtjes së rreme, tregti të ndaluar, posedim të paautorizuar i armëve dhe municionit,” thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas policisë operacioni është zhvilluar në mëngjesin e sotëm, ndërsa në mesin e të arrestuarve janë edhe një mjek veterinar dhe dy punëtorë të  ambulancës veterinare  në Ferizaj.

Policia konfiskoi edhe lopë që dyshohet se janë të kontrabanduara.

“Gjatë bastisjeve në këto lokacione policia ka arritur që të konfiskojë në cilësi të provave materiale 54  gjedhe dhe lopë që dyshohen se janë të kontrabanduara përmes rrugëve ilegale, kryesisht nga Serbia  dhe  Maqedonia, qindra matrikula, pasaporta dhe dokumente tjera që dyshohen se janë të falsifikuara  e që kanë shërbyer për  kontrabandimin e kafshëve,” thuhet në komunikatë.

Policia gjatë aksionit konfiskoi edhe një revole dhe një pushkë gjuetie.

Policia bën të ditur se të dyshuarit për kontrabandim të kafshëve me këtë veprim dëmtuan buxhetin e shtetit dhe rrezikuan shëndetin e qytetarëve.

“Me veprimet e tilla të kundërligjshme duke ju shmangur zhdoganimit, kontrabanduesit kanë dëmtuar buxhetin e shtetit dhe kanë rrezikuar ndjeshëm shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës pasi që kafshët e kontrabanduara nuk janë kontrolluar nga autoritetet kompetente shëndetësore,” sqaron komunikata.

Operacioni është kryer me urdhër të Prokurorisë në Gjilan.