Foto: Kallxo.com

Dëshmitari në rastin e tenderit 6 milionësh në KEK pyetet për takimin e Gjukaj- Lushtaku

Në gjykimin për tenderin 6 milionësh të KEK-ut ku të akuzuar janë drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, si dhe të akuzuarit tjerë Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitareve Aziz Sallahu, Shqipe Hoti e Sani Berisha.

Aziz Sallahu, njëri prej policëve hetues në çështjen e tenderit të KEKU-t, tha se në lidhje me këtë hetim, me anë të një raporti njoftues ka qenë i njoftuar edhe prokurori i lëndës.

Në lidhje me këtë lëndë, ai tha se në gusht të vitit 2012 pranë departamentit special antikorrupsion ishte paraqitur një ankues me emrin Granit Hasani.

“Ankesa e këtij personi kishte të bënte me një procedurë tenderimi në KEK ku biznesi i tij ishte konkurrent me “Besa Security”, dhe ai thoshte se i është bërë e padrejtë në këtë tender, fillimisht nga komisioni vlerësues”, deklaroi dëshmitari.

Ai tha se pretendimet e ankuesit ishin se vlerësimi nga ana e komisionit vlerësues ishte bërë në mënyrë jo të drejtë lidhur me disa nën-kritere që, sipas tij, ishin paraqitur në atë procedurë tenderimi.

Pas pranimit të kësaj ankese, dëshmitari tha se sipas autorizimit të prokurorit kanë kërkuar nga KEK-u që t’u ofrojë dokumentacionin e tenderit.

Pastaj prokurorja e rastit Florije Shamolli e pyeti dëshmitarin nëse pas pranimit të dokumentacionit në lidhje me këtë tender kishin vërejtur ndonjë parregullsi.

“Lidhur me vlerësimin e nën-kritereve që kanë qenë në raportin e vlerësimit, një vërejtje nga një vëzhgues aty Richar Ortsmond i cili e kishte cekë që tenderi është vlerësuar me 90% e jo 100%, pastaj kanë qenë edhe disa deklarata në ofertën e “Security Code”, që është dyshuar që nuk ka qenë në rregull deklarata e ekskluzivitetit dhe disponueshmërisë”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se këto deklarata kanë pasur të bëjnë me disa menaxherë që kanë aplikuar në këtë projekt dhe të cilët janë zotuar se do të punojnë vetëm për projektin në fjalë.

“Të njëjtat janë dërguar në laborator të forenzikës dhe sa më kujtohet dy prej tyre kanë rezultuar se nuk janë nënshkruar nga menaxheret në fjalë, sa më kujtohet”, deklaroi dëshmitari.

Për ankesën, dëshmitari tha se ajo kishte të bënte me vlerësimin e nën kritereve të dosjes së tenderit dhe në lidhje me vendosjen e kamerave me alarme.

“Në lidhje me këtë ankesë përgjigja ishte që të vazhdohet me aktivitet të prokurimit. Që do të thotë se i është refuzuar ankesa pretenduesit”, tha dëshmitari i cili deklaroi se vendimin për refuzimin e ankesës e ka marrë paneli shqyrtues i OSHP-së dhe i nënshkruar nga kryetari.

Fitues i tenderit deklaroi se kishte dalë kompania “Security Code”, për të cilën tha se ishte zvarritur një kohë të gjatë nënshkrimi i kontratës.

Kriteri i përcaktuar me tender për kompanitë të cilat kanë konkurruar tha se ka qenë oferta ekonomikisht më e favorshme dhe e përgjegjshme.

“Nëse më kujtohet kanë qenë 5 kompani ofertuese dhe prej vlerësimit të parë ka dalë vetëm një i përgjegjshëm mirëpo, me sa më kujtohet, autoriteti kontraktues e ka bërë revokimin e një neni të ligjit të prokurimit edhe pas revokimit të përgjithshëm kanë dalë të përgjegjshme dy kompani, konsorciumi “Besa Security” dhe ”Security Code”, sqaroi dëshmitari, vendim për të cilin tha se e kishte marrë OSHP-ja.

“Në dokumentacionin e ofruar nga kompania fituese e këtij tenderi a ishte në rregull me dokumentacionin e prezantuar në lidhje me punëtoret e prezantuar në ofertën e dosjes së tenderit”, e pyeti prokuroja.

“Në ofertën e kompanisë “Security Code” kanë qenë edhe 10 menaxherë të zonave dhe dokumentacioni i 10 menaxherëve të zonave të cilët e kanë nënshkruar deklaratën që do të punojnë vetëm për këtë projekt.  Mirëpo sa më kujtohet disa prej tyre kanë qenë duke punuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, u përgjigj dëshmitari.

Ai tha se ata e kishin pranuar një njoftimin se këta 10 punëtorë kanë dhënë dorëheqje nga puna në aeroport përveç njërit (Lumian Tolaj), për të cilin tha se ende nuk e kishte dorëzuar dorëheqjen.

“Në akuzë bëhet fjalë në lidhje me prezencën e Sami Lushtakut në zyrën e Arben Gjukaj. A e keni intervistuar edhe për këtë?”, pyeti prokurorja.

Për këtë, dëshmitari tha se drejtorit të KEK-ut i ishin parashtruar disa pyetje në lidhje me këto rrethana, dhe se ai kishte thënë se me Sami Lushtakun ka takime të rregullta në lidhje me problemin me furnizim me energji elektrike dhe se ndër të tjera ishte përmendur edhe tenderi i KEK-ut.

Kurse dëshmitarja Shqipe Hoti, eksperte shqyrtuese, tha se pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore ajo e kishte përgatitur raportin për panelin shqyrtues .

“Në atë raport kam konstatuar se opinioni i Agjencionit Antikorrupsion nuk është ndonjë fakt që e detyron autoritetin kontraktues që ta bëjë anulimin e ndonjë aktiviteti të prokurimit për arsye se opinioni i tillë nuk parashihet në nenin 62 të LPK-së. Konstatimi tjetër ka qenë se autoriteti kontraktues në bazë të dispozitave ligjore është i obliguar që për të gjitha anulimet t’i njoftojë të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës të një aktiviteti të prokurimit”, prandaj duke u nisur nga këto dy pika ajo tha se i kishte rekomanduar panelit shqyrtues që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim dhe të bëhet vlerësim i ofertave.

E dëshmitari Sani Berisha i cili në KEK e kishte mbajtur pozitën e drejtorit të Zyrës Ligjore deklaroi se gjatë përvojës së tij në KEK, shumë herë ka ndodhur që ndonjë kontratë të nënshkruhej nga ndonjë këshilltar i KEK-ut.
“Po ka ndodhë, si jo. Drejtori menaxhues autorizimet e veta i bart te vartësit e tij. Ata janë njerëzit e rendit të parë, ekipi që përbëhet apo quhet ekip menaxherial i KEK-ut”, tha ai duke iu referuar Remzi Shahinit i cili e kishte nënshkruar kontratën e tenderimit pasi që drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj kishte qenë në udhëtim zyrtar.

Ky dëshmitar tha se, sipas mendimit të tij, nga kontrata me “Security Code”,  KEK-ut nuk i është shkaktuar dëm. Përkundrazi, ai tha se në kriteret e vlerësimit kontrata e “Security Code”, ka qenë me e favorshme dhe sepse çmimi i saj ka qenë më i ulët sesa i “Besa Security” për 69 mijë euro për dy vite.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.