Gjykata në Prizren

Dëshmitarë të Rinj në Rastin “Reshtani”

Në Gjykatën Themelore në Prizren për sot ishte paraparë të jepej fjala përfundimtare në rastin “Reshtani”, mirëpo, pasi që Nuhi Kryeziu (babai i viktimës, Burim Kryeziu) kishte dorëzuar një kërkesë për dëgjimin e dëshmitarëve të rinj në këtë proces, kërkesë të cilën e mbështeti edhe avokati i tij, seanca nuk u mbajt.

Para se të fillojë seanca, trupi gjykues i njoftoi palët më një kërkesë të tillë. Pala akuzuese dhe avokati i të akuzuarit Fadil Shala, Ethem Rugova, nuk e kundërshtuan, siç u tha “për hir të zbardhjes të së vërtetës”.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Hajrip Krasniqi tha se arsyeja pse është bërë një kërkesë e tillë është për faktin se këta dëshmitarë mund të kontribuojnë në ndriçimin e çështjes.

“Kërkesës së tillë ne si mbrojtje i kemi dhënë mbështetje. Këtë kërkesë nuk e kundërshtoi as prokuroria e çështjes. Dëgjimin e dëshmitarëve nuk e kundërshtoi as Ethem Rugova, avokati i të akuzuarit Fadil Shala, të cilët i dhanë përkrahje me shpresën se do të kontribuojë në ndriçimin e rastit”, tha avokati Hajrip Krasniqi.

Mirëpo, në emër të mbrojtësve të të akuzuarve Enver e Artan Kryeziu, kërkesën e kundërshtoi avokatja Kosovare Kelmendi, pasi që, sipas saj, dëshmitarit Nuhi Kryeziu është duke iu mundësuar një status i privilegjuar.

“Mbrojtja konsideron se dëshmitarit Nuhi Kryeziu është duke iu mundësuar një status i privilegjuar në kundërshtim me ligjin, për faktin se dëshmitari nuk gëzon asnjë të drejtë për të propozuar dëshmitar apo prova materiale”, tha avokatja Kelmendi.

Trupi gjykues e aprovoi kërkesën e palës mbrojtëse për dëshminë e dëshmitarëve të rinj. Fjala është për policët, të cilët në ditën kritike kanë shkuar të parët në vendngjarje, ndërsa lidhur me kërkesën e avokatit të të akuzuarit Fadil Shala për ekspertizë neuropsikiatrike do të vendoset në seancat e ardhshme, që janë caktuar të mbahen më 12 dhe 13 prill.

Fadil Shala, i cili akuzohet për vrasje, është shpallur fajtor për këtë vepër penale dhe është dënuar me 15 vjet burgim. Ndërsa, Enver e Artan Kryeziu, janë dënuar për këtë vepër penale me nga 13 vjet burgim më 11 shtator 2014.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Ngjarja për të cilin po zhvillohet ky gjykim ka ndodhur më 2 gusht 2012 në Reshtan të Suharekës.

http://kallxo.com/mungon-prokurorja-ne-gjykimin-per-perleshjen-ne-reshtan/