Aktakuzë ndaj avokatit Hajrip Krasniqi, akuzohet për sulm ndaj kolegut Ergjyment Barbullushi

Është ngritur aktakuzë me kërkesë për urdhër ndëshkimor ndaj avokatit Hajrip Krasniqi për incidentin në Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK).

Incidenti ka ndodhur në muajin gusht të këtij viti.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, avokati Hajrip Krasniqi akuzohet për sulm ndaj avokatit Ergjyment Barbullushit gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të OAK-së të mbajtur më 18 gusht.

Prokuroria po pretendon se gjatë diskutimeve të pikave të rendit të ditës, Hajrip Krasniqi dhe Ergjyment Barbullushi kishin pasur një mosmarrëveshje.

Sipas Prokurorisë, Krasniqi në mbledhje kishte kërkuar nga Barbullushi që të mos e ndërpriste dhe se ky i fundit ishte ngritur në këmbë dhe kishte filluar që ta shante.

Dosja e Prokurorisë tutje thotë se Krasniqi pasi që nuk kishte mundur të përmbahej nga fyerjet e pranuara, kishte marrë shishen me ujë që kishte para vetes dhe e kishte goditur Ergjyment Barbullushin në gjoks.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Hajrip Krasniqi për këtë rast mirëpo nuk ka pranuar të deklarohet.

Në muajin gusht, KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Barbullushi, i cili ka thënë se sulmi ndaj tij ka ndodhur për shkak të agjendave të propozuara për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Drejtues të OAK-së, që ishte planifikuar të mbahej por që dështoi pas incidentit të ndodhur.

Incident në mbledhjen e Odës së Avokatëve, pretendime për sulm e sharje me nënë