Mungon njëri i akuzuar, shtyhet seanca për vrasjen e rëndë në Prizren

 

Të akuzuarit Orhan dhe Albert Ademaj janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Dy vëllezërit Ademaj, nga Prokuroria po akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, nga motivi i hakmarrjes kanë privuar nga jeta Mendim Kurtishajn.

Mirëpo në mungesë të njërit prej të akuzuarve, Albert Ademaj, seanca e sotme ka dështuar që të mbahet.

Nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi u bë e ditur se Albert Ademaj gjendej në qendrën e paraburgimit në Lipjan dhe ishte e pamundur sjellja e tij gjatë ditës së sotme.

Në këtë seancë, gjithashtu nuk ishte i pranishëm as dëshmitari okular M. H.

Sa i përket dëshmitarit, prokurori i rastit Genc Nixha, kërkoi nga gjykata që të lëshohet urdhëresë për ekzaminimin e gjendjes psiko-fizike dhe pastaj të sigurohet ekspertiza nga ana e ekspertëve.

Mirëpo, ky propozim i prokurorit Nixha, nuk gjeti mbështetje tek mbrojtësit e dy të akuzuarve, pasi sipas tyre dëshmitari i lartcekur lidhur me problemet e shëndetit mendor vuante që nga viti 2014.

“Dëshmitari M. H., vuan nga problemet e shëndetit mendor që nga viti 2014, prandaj prokuroria është dashur që qysh atëherë të urdhërojë nxjerrjen e ekspertizës”, tha avokati Blerim Mazreku.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi aprovoi propozimin e prokurorit të shtetit, ndërkaq seanca e radhës për këtë rast u caktua për datën 30 mars 2022.

Sipas aktakuzës të datës 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se me 1 maj 2020, në Prizren, në bashkëkryerje, me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj.

Ngjarja sipas Prokurorisë kishte ndodhur pas mosmarrëveshje të mëhershme, ditën kritike, dy të akuzuarit me veturën e tyre të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj e ndjekin të ndjerin Mendim Kurtishaj, i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M. H.

Tutje thuhet se, kur arrijnë tek “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përreth, ku edhe është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre u janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën pas së cilës i pandehuri Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet të ndjerit Mendim Kurtishaj dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vije auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.