Dëshmia për Tenderin 1.1 Milionësh të MSH-së

Ish-menaxheri i Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Ekrem Maliqi, ka rrëfyer para Gjykatës mënyrën se si u zbulua tentativa që QKUK të blinte citostatikë 900 mijë euro më të shtrenjtë.

Në rrëfimin e tij Maliqi ka thënë se MSH kishte reaguar për dyshimet për keqpërdorime në tenderin milionësh vetëm atëherë kur kishte reaguar shoqëria civile.

“Kur kemi arritur te vlerësimi për medikamentin “Palonosetron”, e kam pezulluar procedurën e tenderimit pasi ekspertët i kanë shprehur shqetësimet se nga lista janë larguar dy medikamente më të lira “Granisteron” dhe “Ondansetron”, të cilat janë disa herë më të lira”, ka thënë në Gjykatë Maliqi.

Aktakuza e Prokurorisë pretendon se shefja e barnatores qendrore, Enkelejda Gjonbalaj, i kishte larguar këto produkte nga lista me qëllim që gjatë tenderit të blihej bari disa herë më i shtrenjtë, i cili shitej nga mikja e Gjonbalajt, Shqipe Gashi, përfaqësuese e firmës “Global Pharm”.

Dëshmitari Maliqi rrëfeu se barërat kanë përbërje të njëjtë mirëpo ndryshonte vetëm çmimi, duke saktësuar se nëse do bliheshin barërat “Granisteron” ose “Ondansetron” do shpenzoheshin vetëm 70 mijë euro e jo një milion euro siç ishte planifikuar të bëhej me ndryshimet e Gjonbalajt.

Kjo e fundit në nisje të procesit gjyqësor ishte deklaruar e pafajshme duke mbrojtur tezën se vetëm ka rekomanduar dhe propozuar që produktet në fjalë duhet të ishin në listën esenciale dhe veprimet e saj nuk kishin qëllim përfitimin.

Procesi gjyqësor ndaj Gjonbalajt pritet të vazhdojë më 13 maj.

http://kallxo.com/tenderi-1-1-milionesh-i-ministrise-se-shendetesise-ne-gjykate/