Dëshmia historike e Vasfije Krasniqi-Goodman para Kongresit Amerikan

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë ka folur para Kongresit Amerikan lidhur me përjetimet e saj dhe kërkesën për drejtësi.

Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës, u shpreh edhe pse sot jeton në Teksas në një vend larg vendit ku përjetoi tmerrin, ajo  thotë se nuk do të gjejë kurrë paqe në jetën e saj pa u vendosur drejtësia.

“Ka 13 vite që jam shtetase e SHBA-së mirëpo SHBA-të nuk kanë bërë asgjë për mua deri tani, por nuk ka bërë as vendi im Kosova, të dyja vendet më kanë zhgënjyer. Por shpresoj që nëse jo për mua të sjellin drejtësi për viktimat e tjera”, tha Krasniqi-Goodman.

Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan po zhvillon një seancë dëgjimore me temë: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”, në Uashington.

Ky komision u zhvillua me qëllim që të kërkohet drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi se viktimat e dhunuara gjatë luftës duan që historitë e tyre të dëgjohen dhe të kërkojnë drejtësi për krimet e kryera kundër tyre.

 

“20 vite më parë është bërë  dhe jemi përgjithmonë falënderues Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga fal ndihmës dhe përkrahjes kemi krijuar vendin tonë, shtëpitë dhe institucionet tonë. Për shumë vite, ato mohuan krimin që iu kishte bërë kështu në iu pamundësua ndihma për to dhe për familjet tyre e që si rezultat ato jetojnë në kushtet të dobëta ekonomike dhe duke iu refuzuar mbështetja jonë. Secila nga to më kanë treguar se kanë nevojë për njohjen e statusit dhe për drejtësi më shumë se asgjë tjetër. E vetmja mënyrë që këto gra dhe burra që të kalojnë tmerrin që kanë kaluar është drejtësia. Arsyeja që une jam këto është që t’i bëje thirrje anëtareve të kongresit që të marrin një qëndrim që drejtësia të vuhet në vend, dhe që Serbia t’i përgjigjet krimeve të bëra ndaj civilizimit në Kosovë”, tha Jahjgaga.

Dr. Paul Williams, i Universitetit Amerikan në Uashington, potencoi se asnjë nga autorët e krimeve duke përfshirë edhe akuzat për dhunime apo dhunë seksuale nuk janë gjykuar si akuza të ndara.

Gjithashtu ai shtoi se, Tribunali i Hagës ka dënuar vetëm gjashtë serbë si autorë të krimeve në konfliktin e Kosovës. Prapë pa asnjë akuzë për krime seksuale.”

“Është e qartë nga dëshmitë e tyre të shkruara se viktimat shqiptare të Kosovës vuajnë nga hendeku i llogaridhënies. Gjatë luftës, forcat e armatosura nga regjimi serb kanë kryer gjenocid, vrasje në masë, tortura, dhunime të shumta, deportime të mëdha për të arritur qëllimet dhe objektivat e tyre ushtarake dhe politike. Kjo fushatë e terrorit dhe shkatërrimit ishte dizajnuar dhe implementuar nga nivelet e larta të regjimit serb, i cili kërkoi dhjetëra e qindra persona që dëshironin t’i kryenin këto krime dhe la dhjetëra e qindra viktima. Çdo viktimë duet të ketë drejtësi dhe çdo autor i krimit duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre. Është e rëndësishme të mos kërkohet mbajtja e “të gjitha anëve” si përgjegjës, e cila mund të krijojë një ekuivalencë të rreme mes të gjitha anëve”, tha Williams.

Ilir Bytyqi, vëlla i Ylli, Agron, dhe i Mehmet Bytyqit, të dy të vrarë nga forcat serbe në mbarim të luftës në Kosovë, gjatë fjalimit të tij tha se kërkonë në ketë rast që viktimat mos të mohohen.

“Në emër të viktimave dhe familjeve të viktimave dua të potencoi se viktimat nuk duhet të mohohen, qe të krijohet paqja në Ballkan nuk duhet të mohohen. Nëse të intereson drejtësia nuk duhet të jesh i mohuar dhe nëse të gjithë kërkojmë të vërteten nuk duhet te jemi të injoruar. Shpresoj që ta bej të qartë sot se historia ende është duke u shkruar dhe ky komitet mund ta ndihmojë që të ndërrojë kahjen. Historia e vëllezërve të mi të vrarë nga regjimi serb nuk është një mister, kryeministri dhe tash presidenti Vuqiq po mbron krimet e luftës ku vëllezërit e mi u vranë. Presidenti Vuqiq nuk ka turp për këto krime. Tani është koha që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe departamentet ndërkombëtare që të gjejnë ndëshkim për Serbinë dhe gjithashtu BE të ndihmojë dhe jo të anashkalojë që Serbia dhe Kosova duhet që të bashkëpunojnë për zbulimin e krimeve të luftës”, u shpreh ai.

Pastaj, ligjvënësi Eliot Engel, kërkoi ka Jahjgaga më shumë detaje dhe informata mbi përpjekjet për të zbuluar përpara botës krimet seksuale të kryera ndaj grave dhe vajzave në Kosovë dhe për të ndihmuar ligjvënësit të kuptojnë më mirë përmasat e asaj që ndodhi në Kosovë.

Në këtë rast mes tjerash ish-presidentja, deklaroi se janë mbi 20 mijë persona të dhunuar nga lufta e fundit në Kosovë.

Vasfije Krasniqi -Goodman është gruaja e parë në Kosovë që foli publikisht për dhunën seksuale që kishte përjetuar  gjatë luftës së vitit 1999.

Ajo rrëfimin e saj e bëri publik më 16 tetor 2018 duke folur edhe për sfidat në kërkimin e drejtësisë dhe ndëshkueshmërinë për dhunuesit e saj.

Historia e Vasfijes

Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçe në prillin e vitit 1999 kur ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët nga një person i uniformuar dhe ishte dhunuar seksualisht në dy lokacione të ndryshme në Babimoc, nga dy persona të ndryshëm.

Ky është i vetmi fakt i pakontestuar i gjykatave të Kosovës, në të cilat nuk u gjetën fajtorët e këtij krimi.

Vasfije Krasniqi ka dalë për herë të parë publikisht dhe ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar në prillin e vitit 1999.

Beteja për drejtësi e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 kishte filluar në vitin 2012, me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

KALLXO.com sjell një kronologji të të gjitha proceseve gjyqësore të zhvilluara në Kosovë për rastin e Vasfije Krasniqi-Goodmanit.

https://kallxo.com/beteja-e-humbur-e-vasfije-krasniqit-per-drejtesi-ne-gjykatat-e-kosoves/