Foto: Kallxo.com

Deputetët Duan të Jenë ‘të Informuar’ Nga Ekipi i Ri në Dialogun me Serbinë

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme kanë kërkuar sot nga shefi i ri i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, që të informohen për çdo marrëveshje apo vendim që merret në kuadër të këtij procesi.

Arifi, i cili raportoi sot para këtij komisioni, premtoi se do të raportojë saherë që të paraqitet nevoja ndërsa foli për gjendjen ekzistuese të disa prej marrëveshjeve që konsiderohet të jenë më kontraverset, të nënshkruara gjatë procesit të dialogut.

Ai dhe delegacioni kosovar do të takohen më 26 shkurt me delegacionin serb në Bruksel për të diskutuar për temat në agjendë.

Ky takim është i pari për Avni Arifin në krye të delegacionit pas emërimit në këtë detyrë nga kryeministri Haradinaj. Një takim i planifikuar të mbahej në mes të muajit të kaluar qe anuluar pas vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicë të Veriut.

“Ne synojmë përmbylljen e dialogut në tërësi. Zbatueshmëri për secilën marrëveshje veç e veç. Dialogu nuk i përket vetëm një qeverie e mandati”, tha Arifi.

“Kurdo që komisioni kërkon njoftime për dialog, jemi të gatshëm të vimë. Sa herë të kemi takime në Bruksel jemi të gatshëm mu taku me ju me pas konsensus të përbashkët me Kuvend”, shtoi ai.

Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani kërkoi që Kuvendi të jetë i njoftuar para se të shkojnë në Bruksel para se delegacioni të nënshkruajë ndonjë marrëveshje. Ajo gjithashtu ka kërkuar të qartësohet situata me Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe,

“Sa i përket asociacionit është vendimi i Gjykatës Kushtetuese’, tha Arifi duke iu referuar një vendimi të vitit 2015 i cili gjen shkelje të Kushtetutës së vendit në 22 pika të këtij dokumenti.

“Kjo qeveri nuk e pranon asnjë mënyrë asociacionin që përmban shkelje kushtetuese”, shtoi Arifi.

“Orientimi ynë është t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i raporteve Kosovë Serbi. Normalizim nuk mund të ketë pa njohje reciproke”, tha Arifi.

Edhe anëtari i Komisionit nga PDK, Elmi Reçica, kërkoi që Kuvendi të informohet rregullisht me ecurinë e dialogut.

“Kisha kërku prej jush të përgatiteni për marrëveshjet që janë realizu deri më tash të dini se deri ku kanë shku marrëveshjet dhe të jeni të përgatitur”, tha Reçica.