Bytyqi Reagon Kundër Vizitës së Mundshme të Trump në Serbi

Pas pohimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar një ftesë për të vizituar Serbinë, familja e vëllezërve Bytyqi, të cilët u vranë në Serbi pas përfundimit të luftës së Kosovës, lëshuan një reagim të fortë kundërshtues.

“Për 18 vjet, familja ime ka shpenzuar çdo energji, burime dhe para për të marrë drejtësi për vëllezërit e mi”, tha Fatos Bytyqi, i cila ka kërkuar drejtësi për vdekjen e tre vëllezërve të tij, Yllit, Mehmetit dhe Agronit, në një njoftim për shtyp të lëshuar të enjten.

“Ne jemi të zemëruar nga lajmet dhe i bëjmë thirrje presidentit Trump të rishqyrtojë vendimin e tij”.

Tre vëllezërit, qytetarë amerikanë, ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, si pjesë e Brigadës “Atlantiku”, që përbëhej kryesisht nga kosovarë shtetas amerikanë dhe të vendeve të Evropës Perëndimore.

Pas përfundimit të luftës, të tre vëllezërit po i dërgonin fqinjët e tyre romë për siguri në Kralevë të Serbisë kur u zhdukën. Trupat e tyre u gjetën në një varrezë të pashënuar në vitin 2001.

Kjo vrasje e pazgjidhur vazhdon të jetë një çështje e vazhdueshme mes ShBA-së dhe Serbisë, edhe pse presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq ka premtuar se rasti do të zgjidhet.

Në rast se presidenti Trump pranon ftesën e presidentit Vuçiq për të vizituar Serbinë, ai do të jetë presidenti i parë i ShBA-së që do të vizitojë Beogradin që nga vizita e Jimmy Carter në vitin 1980 në federatën e atëhershme jugosllave.

“Presidenti Trump duket se është dyfishuar strategjinë Obama-Biden për Serbinë”, tha Praveen Madhiraju, një këshilltare pro bono e familjes Bytyqi. “Administrata e Obamës ka tregtuar pothuajse çdo kompromis që kanë mundur pas premtimeve boshe të zotit Vuçiq për të zgjidhur rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Ne i bëjmë thirrje presidentit Trump të bëjë më shumë për të mbrojtur tre amerikanë të vrarë sesa thjesht të ndjekin taktikat e dobëta dhe të pamenduara të administratës Obama. Ne besojmë se në fund, presidenti Trump do të mbrojë së pari tre amerikanë të vrarë”.

Familja Bytyqi pohon se urdhrat erdhën nga gjenerali Goran Radosavleviq, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Vuçiq dhe se ekzekutimi erdhi përmes selisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Radosavleviq i mohon të gjitha akuzat.

“Ata kanë prova, ata e dinë se kush ishte në Petrovo Selo, kush ka punuar atje dhe pse vëllezërit Bytyqi u vranë”, tha Fatos Bytyqi për Prishtina Insight në mars të këtij viti. “Jo vetëm qeveria Vuçiq, por edhe qeveritë e tjera, e dinin këtë… Është i tërë sistemi. Dhe kjo është arsyeja pse po merr kaq shumë kohë.”