Bytyqi: NISMA me më së paku 'hise' në korrupsionin e arsimit të lartë
Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar seancën e dytë të jashtëzakonshme e cila ka të bëjë me gjendjen në arsim.
Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi kërkoi që deputetët të kursehen nga frazat politike dhe debati të mos orientohet në këtë mënyrë.
“Ajo çfarë e bënë të dëmshëm debatin është nëse e orientojmë debatin për arsim për luftë politike dhe ta shigjetojmë arsimin me fraza polikë. Se cila është gjendja në arsim nuk është që e dimë sot e kemi ditur nga fillimi”, tha ai.
Bytyqi tha që është ende herët që për një vit deputetët të presin ndryshim total të gjendjes në arsim.
“Nëse mendohet që për një vit e gjysmë mund të zgjidhen të gjitha problematikat e arsimit kjo është me të vërtetë iluzion. Veprimet tona kanë qenë të menjëhershme duke filluar nga ato që kanë qenë emergjente deri tek ato afatgjate”, tha ai.
Ministri Bytyqi komentoi edhe deklaratat e deputetëve të cilët thanë që në arsimin e lartë ka korrupsion, për të cilën ha që më së paku është i përfshirë partia e tij NISMA.
“Ku është kjo mundësi e lartë e korrupsioni në arsimin e lartë, është brenda universiteteve dhe nëse është brenda universiteteve kanë ndoshta hise të gjitha partitë por më së paku NISMA , kjo nuk është një adresim që duhet ti bëhet ministrisë sepse ne nuk kemi mundësi të ndërhymë brenda universiteteve”, theksoi ai.