Foto: 21Media

Britania Humb 5 Mijë Vende të Punës në Sektorin Bankar

Rreth 5 mijë vende të punës në sektorin bankar do të zhvendosen nga Britania apo do të hapën në shtetet tjera deri në mars të vitit të ardhshëm, pikërisht për shkak të Brexitit, dëshmoi rezultati i anketës më të rë të bërë nga agjencia e lajmeve, Reuters, në të cilën u përfshinë institucionet financiare.

76 kompani, nga gjithsej 119 sosh që morën pjesë në anketë, theksuan se duhet të zhvendosin punëtorët për shkak të Brexitit, i cili pritet të ndodh në mars të vitit të ardhshëm.

29 kompani janë të mendimit se Brexiti nuk do të ketë ndikim në veprimtarinë e tyre, ndërsa kompanitë tjera ende janë duke shqyrtuar se si do të veprojnë në të ardhmen.

Reuters dërgoi në adresë të 164 bankave që veprojnë në Britani pyetjen për planet e tyre për zhvendosjen e mundshme të punëtorëve pas Brexitit, ndërsa 119 kompani ju përgjigjen pyetjeve të agjencisë.

65 organizata ofruan edhe të dhëna për numrin e punëtorëve që kanë aktualisht në Britani dhe sipas këtyre të dhënave, numri i të punësuarve në sektorin bankar arrin në 447 mijë njerëz. 48 kompani, të cilat nuk kanë ofruar të dhëna për planet e tyre për Brexit, së bashku punësojnë mbi 375 mijë njerëz./21Media