BE kërkon që ngritja e cilësisë në arsim të nis nga reformat në Ministri

Bashkimi Evropian është i vendosur që të bëjë reforma për një arsim cilësor në Kosovë, dhe nuk e ka ndërmend të dorëzohet sa i përket këtij procesi.

Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova gjatë takimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ku u diskutua përkrahja e BE-së për ngritjen e cilësisë në arsim.

“Është shumë e rëndësishme të kemi bashkëpunim mes vete në këtë drejtim, sepse Kosova ka demokracinë më të re në Evropë dhe me popullsi të re. Reforma në Arsim është domosdoshmëri e përditshme. Edukimi është një ndër top prioritetet tona”, shtoi shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Apostolova njoftoi se ndryshimet duhet të bëhen duke filluar nga Ministria e Arsimit.

“Jam shumë e lumtur që politika kosovare e ka vënë si prioritet edukimin dhe nuk duhet të mbetet në sirtarë, siç thatë më parë. Së pari ndryshimet duhet të bëhen në Ministri.dje kam pasur një takim shumë të rëndësishëm me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Ne nuk do të dorëzohemi, pa marrë parasysh se çfarë sfidash do të kemi”, tha ajo.

Sipas Apostolovës, sistemi në arsim, duhet të jetë modern dhe konform sistemit evropian për edukim.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Sami Kurteshi deklaroi se si komision i kanë përfunduar katër ligje, njëri prej të cilëve është edhe Ligji për Arsimin dhe shtoi se tash ato duhet të shkojnë në Kuvend dhe të aprovohen.

“Komisioni ka vizituar Ministrinë e Arsimit, shkolla e universitete. Planifikojmë të kemi takim me të gjitha universitetet publike, në mënyrë që të ndihmojë rritjen e cilësisë së arsimit në vend”, tha ai.

Kurteshi shtoi se rezoluta e miratuar në vitin 2017 që do t’i mundësonte arsimit të jetë prioritet kombëtar, ka mbetur thjeshtë një dokument në sirtar të Kuvendit.

“Arsimi në Kosovës nuk do të ecë përpara me fushata, por vetëm nëse organizohemi më mirë, nëse punojmë në mënyrë konsistente dhe t’i lidhim të rinjtë me tregun e  punës, të mos jenë të pashpresë, dhe të mos shqetësohen vetëm për liberalizimin e  vizave, pasi ajo nuk është zgjidhje për gjeneratat tona”, tha kryetari i Komisionit.