BE-ja jep detaje për takimin me krerët e ekipit negociator të Kosovës

Në lidhje me vizitën e sotme në Bruksel të krerëve të ekipit negociator të Kosovës, KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën për informim të Bashkimit Europian.

Sipas përgjigjeve të kthyera nga zyra e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq, takimi ka qenë për t’u informuar për zhvillimet e fundit.

“Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) u takua sot me delegacionin e Kosovës për Dialog, si pjesë e konsultimeve të rregullta dhe të vazhdueshme. Delegacioni i Kosovës për Dialog njoftoi EEAS për zhvillimet e fundit”, thuhet në përgjigjet e zyrës së zëdhënëses Kocijançiq.

Tutje, Zyra për informim e BE-së ka paralajmëruar një takim të ri, i cili do të mbahet së shpejti.

“Shërbimet e EEAS dhe delegacioni ranë dakord të takohen përsëri në të ardhmen e afërt”, thuhet aty.

Kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, janë nisur dje për në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel.

Vizita e tyre, sipas burimeve të KALLXO.com nga Qeveria e Kosovës, është bërë me ftesë të Zyrës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Ahmeti e Limaj nuk kanë njoftuar paraprakisht se do të udhëtojnë për në Bruksel.

https://kallxo.com/shpend-ahmeti-fatmir-limaj-e-blerim-shala-tinez-ne-bruksel/

www.kallxo.com