Bashkimi i Pushkëve që Prodhoi Fuqinë

Në akademinë përkujtimore për Ramadanin të organizuar nën patronatin e Kryeministrit Mustafa në emër të qeverisë foli ministri i FSK-së Haki Demolli.

Demolli tha se beteja e Koshares është beteja më e lavdishme e zhvilluar ndonjëherë në trojet shqiptare, e cila sipas tij përveç karakterit dhe rëndësisë operativo – ushtarake, kishte rëndësi edhe më të madhe në planin strategjik, e sidomos në atë politik.

Demolli deklaroi se nuk do të harrohen kurrë të rënët e kësaj beteje.

“Agimi ra për të mos vdekur kurrë sepse gjaku i tij dhe i gjithë të rënëve të tjerë të kombit është derdhur për lirinë e atdheut, kurse liria dhe sakrifica kombëtare nuk vdesin dhe nuk do të harrohen kurrë,” tha Demolli.

Ministri i FSK-së deklaroi se Agim Ramadani nuk luftoi vetëm, pasi kishte shokë që i donte më shumë se veten.

“Ai luftën nuk e bëri vetëm, ai luftën e bëri me shokë të cilët i çmonte më shumë se veten, me shokë si Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi, dhe 113 dëshmorë të tjerë të Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, si dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë të kombit anekënd Kosovës që do t’i nderojë dhe përkujtojë populli ynë përjetësisht,” tha Demolli.

Në emër të Brigadës 138 foli Agron Jusufi.

Ai në fjalimin e tij emocionues tha se veprën e Agimit e ka ende parasysh.

“Kanë kaluar 17 vjet e një ditë kur për herë të fundit u përshëndeta me Agimin në Koshare,  ai ishte 36 vjet e unë sot jam 44 vjeçar. Shumica dërrmuese e atyre që patëm rastin ta njohim Agmin sot jemi në moshë më të madhe se që ishte Agimi atëherë. Megjithatë, të gjithë ne e kemi ende parasysh Agimin, që tregues e kemi personalitetin e tij si matës për gjendjen tonë,” tha ai.

Në këtë akademi përkujtimore, djali i heroit Agim Ramadani, Edon Ramadani, apeloi bashkim të klasës politike në Kosovë, ndërsa citoi edhe amanetin e babait të tij “Kur pushkët bashkohen kanë fuqi më të madhe”.

Agim Ramadani u vra më 11 prill të vitit 1999 në betejën e njohur të Koshares. Ai udhëhoqi Operacionin “Shigjeta”.