Arkiv

Avokati Mungon në Gjykimin për Njehsorët “Kohler”

Gjykimi për Njehsorët “Kohler”, u shty për një datë tjetër për arsye të mungesës së njërit prej avokatëve.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti u tregoi palëve se avokati Besnik Berisha e ka njoftuar se nuk do të mund të jetë i pranishëm në seancë për shkak të obligimeve të tij.

Hoti tha se ndonëse në këtë rast nuk është mbrojtja e obliguar, për hir të interesit të palëve gjykimi do të shtyhet në një datë tjetër.

Të akuzuarit në këtë gjykim janë Vjollca Ajvazi, Drita Hamiti dhe Avni Alidemaj.

Ajvazi e Alidemaj, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), po akuzohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me njehsorët elektrikë “Kohler”, përderisa Hamiti akuzohet për ndihmë në kryerje të veprës penale.

Pjesë e aktakuzës në këtë rast ishte edhe Blerim Sokoli që akuzohej se “si drejtor i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëveprim dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me dashje tejkaloi kompetencat e veta duke u mundësuar palëve të interesit KEDS dhe ‘Kohler’ të përfitojnë dobi kundërligjshëm”.

Sokoli nuk është më pjesë e shqyrtimit gjyqësor, pasi ka vdekur.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit AEL. TF.04-1 të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Blerim Sokoli ngarkohet se  lejoi instalimin e këtij lloji të njehsorit duke ditur nga terreni problemet e shfaqura gjatë matjes nga këta njehsorë.

Në aktakuzë thuhet se jo vetëm Sokoli, por edhe të tjerët dinin për matjet e gabuara të këtyre njehsorëve.

“Të gjithë të akuzuarit dhe Ari Torosoglu dhe Ali Akkan me vetëdije të plotë kanë kontribuuar për të vënë në qarkullim këtë tip të njehsorit dhe duke dështuar në funksionimin konform standardeve minimale të kërkuara, kanë mashtruar blerësit-në rastin konkret konsumatorët e Kosovës duke u shkaktuar dëm të konsiderueshëm material,” shpjegon aktakuza.

Në maj të vitit 2015 në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për hetimet rreth njehsorëve të markës “Kohler”.

Dosja “Kohler” në KALLXO.com.