Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com
Konfirmohet aktakuza ndaj Besim Beqajt dhe të tjerëve në rastin ‘Hidrocentralet’
Është konfirmuar aktakuza ndaj ish ministrave të qeverisë “Thaçi 2”, në rastin e hidrocentraleve.
Kjo pasi Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e avokatëve për hudhjen e aktakuzës ndaj ish-ministrave të qeverisë “Thaçi 2”, Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Përpos ankesave të mbrojtësve, Apeli e ka refuzuar edhe ankesën e Prokurorisë Speciale për të akuzuarit e tjerë ndaj të cilëve ishte pezulluar procedura.
Apeli vlerësoi se aktvendimi i ankimuar, nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkalles së parë, ka vendosur drejtë dhe ligjshëm.
Dy muaj më parë Gjykata e Prishtinës morri aktvendimin me të cilin vendosi që të refuzonte kërkesat e avokatëve për të akuzuarit Mimoza Kusari – Lila, Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka, ndërsa ndaj zyrtarëve të tjerë Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu dhe Krenar Bujupi e kishte pushuar aktakuzën.
Kujtojmë se me 28 tetor të vitit të kaluar gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pa fajshëm.
Besim Beqaj kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari, Nenad Rashiq dhe Dardan Gashi anëtar të Komitetit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin kur kishin vendosur që hidrocentralet të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik””.
Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore.
Ata akuzohen se kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t‘i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura Fllanza Hoxha, në cilësinë e personit zyrtar- menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Atdhe Gjuka, në cilësinë e personit zyrtar – drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Besnik Haziri, në cilësinë e personit zyrtar- koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe i pandehuri Krenar Bujupi, në cilësinë e personit zyrtar – anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Fadil Çitaku në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KEK-ut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa dhe Izet Ibrahimi, në cilësinë e personave zyrtarë- anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe Gani Jashari në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KKDFE-së, Burim Berisha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që t’i mundësojë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas prokurorisë në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.