Autoriteti i Aviacionit Civil reagon pas incidentit të aeroplanit të linjës Prishtinë - Bazel

Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar se sot në mëngjes ka kontaktuar me zyrtarë të kompanisë ajrore “ALK Airlines” në lidhje me turbulencat që ka pasur aeroplani i linjës Prishtinë – Bazel dhe tmerrin që e kanë përjetuar pasagjerët.

AACK ka kërkuar një raport të detajuar lidhur me këtë ndodhi për hetim të mëtejmë.

Pasagjerët që po fluturonin nga Prishtina në Bazel kanë përjetuar tmerrin mbrëmë përderisa aeroplani pati disa turbulenca disa minuta para mbërritjes në destinacion, raportojnë mediat zvicerane.

Sipas agjencisë së lajmeve 20minuten, turbulenca nisi nja 30 minuta pas ngritjes së aeroplanit nga Aeroporti i Prishtinës dhe zgjati rreth pesë minuta.

AAC ka thënë se në bazë të përgjegjësive që ka, rregullisht bën inspektime të kompanive ajrore që operojnë në ANP “Adem Jashari”, përfshirë edhe kompaninë në fjalë.

“AAC ka trajtuar dhe trajton çdo herë shqetësimet e ngritura nga cili do person juridik apo fizik dhe merr masa parandaluese përmes inspektimeve të rregullta”, thuhet në njoftimin e AAC-së.

Më tej kanë shtuatr se një prej inspektimeve të bëra është realizuar edhe në këtë kompani ajrore dhe gjatë këtyre inspektimeve nuk janë vërejtur parregullsi në pajisje apo përgatitje të personelit të aeroplanëve, të cilët do të mund të paraqesin ndonjë rrezikim të sigurisë së fluturimit.

Në njoftimin e AAC-së thuhet se duke u bazuar në informatat që tanimë janë publike, aeroplani në fjalë ka hasur në turbulencë që mund të cilësohet si shqetësuese dhe aspak e këndshme për pasagjerët në bord.

“Megjithëse aeroplanët që sot janë në përdorim anekënd globit para futjes në shfrytëzim nga operatorët ajror kalojnë një sërë testesh për të përballuar ngarkesat e mundshme të shkaktuara nga erërat e fuqishme dhe lëvizjet vertikale të presionit  ajrorë (turbulencat)”, vazhdon njoftimi.

Ata kanë thënë se edhe ekuipazhi i fluturimit është i trajnuar për të ju përgjigjur në mënyrë adekuate dhe sa me pak shqetësuese për pasagjer.

“AACK mbetet e përkushtuar për të ofruar një ambient të sigurt për zhvillimin e operimeve të aviacionit civil në Republikën e Kosovës”, përfundon njoftimi.

 

https://kallxo.com/turbulenca-ne-aeroplanin-prishtine-basel-tmerrohen-pasagjeret/

.