Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt - Foto: KALLXO.com

Arsyetimi i Trupit Gjykues për Pafajësinë e Naser Pajazitajt

Pas një shqyrtimit të gjatë gjyqësor, ku u dëgjuan shumë dëshmitarë dhe u proceduan prova të ndryshme për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, sot Gjykata Themelore e Pejës shpalli aktgjykimin ndaj të akuzuarit për ketë vrasje, Naser Pajazitajt.

Sipas aktgjykimit të lexuar nga kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, i akuzuari u shpall i pafajshëm.

Megjithatë, Naser Pajazitaj u dënua me 2 vjet e katër muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

“Meqenëse nuk është provuar se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej, pra të vrasjes se rëndë, Gjykata në kuptim të nenit 364 paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, për ketë vepër penale të akuzuarin e liron nga aktakuza”, u tha në aktgjykimin e shpallur sot.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues tha se ky rast ka qenë më sfiduesi në karrierën e tij profesionale.

Gjyqtari Lokaj më pas dha edhe arsyetimet e vendimit që shpalli të pafajshëm Naser Pajazitajn.

Ai tha se nga ekzaminimi i video-incizimeve nuk është dëshmuar se ka pasur person të dytë në veturën e Naser Pajazitajt në momentin kur ai kishte kaluar disa minuta më vonë rrugës nga kishte shkuar Donjeta Pajazitaj.

Edhe për ekzaminimin e veturës së të akuzuarit dhe ekzaminimin e një qime të flokut, kryetari i trupit gjykues tha se nuk është dëshmuar se e njëjta ka qenë e viktimës.

“Nuk është kontestuese që i akuzuari ka shkuar me veturë, mirëpo nga ekzaminimet që u është bërë, ju ka bërë xhipit të të akuzuarit, gjurma që është gjetur – një qime e flokut e ngjyrës së bardhë, që është dyshuar që i përket viktimës Donjeta Pajtazitaj. Prokurori i shtetit e ka bërë këtë ekspertizë përmes rrugëve diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka rezultuar se mostra e marrë, vërtetë dëshmia që është siguruar, nuk i përket ADN-së as të viktimës as të akuzuarit”, tha kryetari i trupit gjykues.

Tutje, ai shtoi se me asnjë provë Prokuroria dhe hetuesia nuk kanë mundur ta argumentojnë faktin se Naser Pajazitaj e ka kryer ketë vrasje.

“Prokurori i shtetit përkatësisht hetuesia nuk ka arritë me dëshmuar të vetmen provë të aktit kryesor të vrasjes se Donjeta Pajazitajt”, tha Lokaj

Por të revoltuar me ketë vendim të gjykatës  ishin familjarët e Donjeta Pajazitajt.

Fillimisht vëllai i viktimës, Shkelqim Pajazitaj, me të dalë nga salla e gjykimit ka shqelmuar derën, ku më pas menjëherë u arrestua nga Policia.

http://kallxo.com/video-momenti-kur-u-arrestua-vellai-donjeta-pajazitajt/

Edhe nëna e Donjeta Pajazitajt, Lumnija, u shpreh e zhgënjyer me aktgjykimin e shpallur sot për vrasjen e vajzës se saj.

KALLXO.com rreth këtij rasti ka raportuar në vazhdimësi.