Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Detaje nga sulmi ndaj familjes së Naser Pajazitajt

Shtëpia e Naser Pajazitajt, i cili ishte i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, dyshohet se është sulmuar me armë zjarri.

Kështu ka njoftuar përmes një shkrimi në Facebook, Ahmet Tahiri, avokati i Naser Pajazitajt.

KALLXO.com mëson se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja.

Sulmi në shtëpinë e Pajazitajt raportohet se ka ndodhur në orët e para të së dielës.

Sipas avokatit të Pajazitajt, nga sulmi me armë zjarri është traumatizuar Naser Pajazitaj dhe familja e tij.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar Prokurorinë e Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë se prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast.

Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Në raportin 24-orësh policor është thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Strellc i Ulët të Deçanit.

Policia ka treguar se nuk është raportuar për të lënduar.

Naser Pajazitajn, i  cili ishte i dyshuari i vetëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza.

Të pandehurit Gjykata e Apelit ia ishte zbritur dënimin nga burgim i përjetshëm në dënim me 35 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar te vendi ‘Kroi i Lajthisë’.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri e kishte qëlluar viktimën me dy plumba në kokë dhe pastaj për të humbur gjurmët e viktimës  trupin e saj e kishte mbuluar me drurë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Por, për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

 

Dyshohet se familja e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri