Naser Pajazitaj në Gjykatë - Foto e datës 25.3.2019

Dyshohet se familja e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri

Shtëpia e Naser Pajazitajt, i cili ishte i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, dyshohet se është sulmuar me armë zjarri.

Kështu ka njoftuar përmes një shkrimi në Facebook, Ahmet Tahiri, avokati i Naser Pajazitajt.

Sipas avokatit, nga sulmi me armë zjarri është traumatizuar Naser Pajazitaj dhe familja e tij.

“Mbrëmë familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri rreth orës 02:00 të mëngjesit duke traumatizuar Naserin dhe familjen e tij. Lusim organet e drejtësisë, përkatësisht Policinë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë që sa më parë të zbulohet ky rast dhe personat që kanë kryer këtë vepër sa më parë të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”- ka thënë ai.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti është duke u hetuar.

“Fsh. Strellc i Ultë, Deçan 14.05.2023-02:10. Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në shtëpinë e tij. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar”- ka njoftuar Policia.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Prokuroria e Pejës dhe është në pritje të përgjigjes.

Naser Pajazitajn, i  cili ishte i dyshuari i vetëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza.

Të pandehurit Gjykata e Apelit ia ishte zbritur dënimin nga burgim i përjetshëm në dënim me 35 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar te vendi ‘Kroi i Lajthisë’.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri e kishte qëlluar viktimën me dy plumba në kokë dhe pastaj për të humbur gjurmët e viktimës  trupin e saj e kishte mbuluar me drurë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Por, për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Vrasja e Donjeta Pajazitajt, ky është arsyetimi i Gjykatës Supreme në vendimin për lirimin e Naser Pajazitajt